Tri medalje ari dhe 5 rekorde! Enkileda Carja nga Elbasani shkëlqen në Kampionatin Europian të të rinjve

0
2

Peshëngritësja shqiptare Enkileda Carja ka realizuar një paraqitje spektakolare në Kampionatin Europian për 17-vjeçarët që po zhvillohet në Madrid, duke u shpallur kampione e trefishtë Europe dhe duke thyer pesë rekorde europiane për grupmoshën e saj.

Në stilin e shkëputjes, Carja arriti të ngrejë fillimisht 91 kg, duke vendosur rekord të ri. Ajo e përmirësoi menjëherë këtë rezultat në provën e dytë me 93 kg, duke e thyer për herë të dytë rekordin. Tentativa e tretë me 95 kg nuk rezultoi e suksesshme, por mjaftoi për t’i siguruar medaljen e artë në këtë stil.

Dominimi i saj vijoi edhe në stilin e shtytjes. Me 109 kg të ngritura në provën e parë, Carja vendosi sërish rekord europian, të cilin e theu menjëherë në provën e dytë me 111 kg. Në përpjekjen e tretë tentoi 114 kg, por nuk e realizoi me sukses. Sidoqoftë, edhe këtu siguroi medaljen e artë.

Enkileda Carja fitoi 3 medalje ari dhe u shpall kampione e trefishtë e Europës, duke bërë krenar sportin shqiptar. Suksesi i saj është fryt i një përgatitjeje intensive nën drejtimin e trajneres Eglantina Kalemi.