Kombëtarja e Shqipërisë është pritur me një atmosferë madhështore në Aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, pas fitores historike ndaj Serbisë në kuadër të eliminatoreve të Kupës së Botës 2026.
Qindra tifozë entuziastë, të pajisur me flamuj kuqezi, tymuese, fishekzjarrë dhe këngë patriotike pritën ekipin kombëtar në orët e para të mëngjesit.
Kuqezinjtë e trajnerit Sylvinho luftuan deri në fund për të mbrojtur rezultatin e arritur falë supergolit të Rey Manajt në fundin e pjesës së parë.
Ky rezultat blindon vendin e dytë për Shqipërinë në Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, pasi kuqezinjtë kanë 11 pikë, 4 më shumë se Serbia e vendit të tretë. Fitorja e Kombëtares u festua kudo ku jetojnë shqiptarë.
Shqipëria administroi deri në fund rezultatin dhe siguroi një fitore të madhe 1-0 ndaj Serbisë në Leskovac. Ndeshja e radhës për Shqipërinë do të jetë më 14 tetor ndaj Jordanisë. Ndeshja miqësore do të luhet në “Air Albania”, në orën 19:00.