Trondit EUROSTAT: Gjysmën e të miturve shqiptarë i pret varfëri e madhe

0
96

Më shumë se gjysma e djemve dhe vajzave nën 18 vjeç në Shqipëri i pret një varfëri e madhe, thotë Instituti Evropian i Statistikave Eurostat, citon noa.al.

Sipas raportit të Eurostat, janë mbi 304 mijë të mitur që rrezikojnë shumë të zhyten në skamje e mjerim. Kryesisht ata janë pjesë e familjeve me të ardhura minimale.

Në këtë mënyrë Shqipëria del e para për nivelin e varfërisë dhe mundësisë së thellimit të saj.

“Rreziku për të qenë i varfër apo përjashtimi social” i referohet individëve të prekur nga të paktën një prej tre formave: varfëri në të ardhura, privim material ose social dhe intensitet i ulët pune.

Pika që ndan të varfrit nga të tjerët është shuma 5.5 dollarë në ditë.

Në rang popullsie, të rinjtë deri në moshën 18 vjeç, përbëjnë grupimin më të madh që rrezikon të vuajë urinë dhe të mirat materiale.

Ndërsa grupmosha mbi 65 vjeç rrezikon më pak, për shkak të pensioneve mujore dhe pritshmërive më të ulëta për pjesën e mbetur të jetës.

Eurostat nxjerr në pah edhe se shqiptarët janë qytetarët me fuqinë më të ulët blerëse në Europë. Me të ardhurat e tyre ata mund të blejnë shumë më pak produkte dhe të kenë më pak shërbime se qytetarët e vendeve të tjera të Evropës.