Tronditet Reali i Madridit/ Xabi Alonso drejt shkarkimit, sfida me Cityn në Champions vendimtare për spanjollin

0
2

Tensioni ka shpërthyer në shtëpinë e Real Madridit, ku Xabi Alonso gjendet nën presion të madh pas humbjes 2-0 ndaj Celta Vigos.Sipas mediave spanjolle, drejtuesit madrilenë kanë qëndruar deri vonë natën në Bernabeu për të diskutuar të ardhmen e trajnerit, ndërsa besimi ndaj tij shihet gjithnjë e më shumë si i përkohshëm.

Ndeshja e së mërkurës në Ligën e Kampionëve kundër Manchester Cityt pritet të jetë vendimtare. Në Spanjë janë të bindur: nëse Alonso humbet përballë Guardiolës, shkarkimi i tij është i pashmangshëm. Ajo që ka shqetësuar më shumë drejtuesit nuk është vetëm rezultati, por edhe mënyra e dobët e paraqitjes së skuadrës.

Ndërkohë, ka nisur edhe loja e hamendësimeve për pasardhësit e mundshëm. Emri i Zidane është rikthyer fuqishëm në qarkullim, por rikthimi i tij konsiderohet i vështirë, pasi francezi synon stolin e kombëtares pas Botërorit 2026. Kandidatë të tjerë të përmendur në gazetat spanjolle janë Jurgen Klopp, Santiago Solari dhe Alvaro Arbeloa.

Pas humbjes, Xabi Alonso u shfaq i prerë: “Jam i zemëruar, por jemi të bashkuar. Humbjet dhembin, por duhet të shohim përpara. Të mërkurën na pret Champions-i dhe duhet të tregojmë një fytyrë tjetër.” Për sa i përket presionit për postin e tij, ai u shpreh: “Është një ndeshje që vlen tre pikë në Ligën e Kampionëve.”

Me tensionin në maksimum dhe fatin e trajnerit të lidhur me një ndeshje të vetme, sytë e botës së futbollit janë tashmë nga “Etihad” ku Real Madridi luan shumë më tepër sesa kualifikimin.