Trump dhe Putin pritet të diskutojnë për Ukrainën

0
3

I dërguari i SHBA, Steve Witkoff i tha CNN-it se presidenti i SHBA, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin do të diskutojnë për Ukrainën “këtë javë”, pas propozimit të armëpushimit të Uashingtonit.

“Ka ende shumë për të diskutuar, por unë mendoj se të dy presidentët do të kenë një diskutim vërtet të mirë dhe pozitiv këtë javë”, tha Witkoff, duke shtuar se Moska, Kievi dhe Uashingtoni “dëshirojnë që e gjithë kjo të përfundojë”.

”Pres një telefonatë me të dy presidentët këtë javë dhe ne do të vazhdojmë diskutimet tona me Ukrainën”, shtoi Witkoff.

Të premten, Kremlini pretendoi se Vladimir Putin i kishte dërguar një mesazh Donald Trumpit në lidhje me propozimin e të dërguarit amerikan për një armëpushim në Ukrainë.

“Kur zoti Witkoff t’i japë të gjitha informacionet presidentit Trump, ne do të përcaktojmë kohën për një bisedë midis dy presidentëve”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Kyiv ka rënë dakord në parim për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor nëse Moska përfundon sulmet e saj në Ukrainën lindore.

Presidenti rus Vladimir Putin, megjithatë, nuk ka rënë dakord për ndonjë armëpushim dhe në vend të kësaj ka vendosur kushte maksimaliste, si për shembull Ukraina të heqë dorë nga pesë rajone të aneksuara nga Rusia, braktisjen e ambicieve të Kievit për t’u bashkuar me NATO-n dhe shpërbërjen e qeverisë ukrainase në vend.

Nga ana e tij, sekretari i Shtetit, Marco Rubio e përshkroi bisedën telefonike që pati me homologun e tij rus Sergei Lavrov si “premtuese”.

”Është e vështirë të negociohet një përfundim i qëndrueshëm i një lufte, ndërsa palët ndërluftuese qëllojnë kundër njëri-tjetrit, kjo është arsyeja se pse presidenti Trump dëshiron një armëpushim”, theksoi ai.