Tunele dezinfektimi për Putinin, pajisjet e instaluara në rezidencën zyrtare, 2 të tjera në selitë e Kremlinit

0
318

Presidenti rus Vladimir Putin është në krye të një prej shteteve më të prekura nga koronavirusi. Në këto rrethana, për t’u mbrojtur edhe vetë nga të tjerët, kreu i shtetit ka instaluar tunele dezinfektimi në banesën presidenciale jashtë Moskës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, mbrohet nga koronavirusi duke detyruar të gjithë personat që e takojnë personalisht që të kalojnë në tunele të posaçme dezinfektimi.

Një nga tunelet e prodhuara nga një kompani ruse është instaluar në rezidencën zyrtare të kryeshtetarit jashtë Moskës, ndërsa dy të tjera janë të shpërndara në selitë e Kremlinit.

Njerëzit që kalojnë në galeritë speciale me maska spërkaten nga lart dhe anët me dezinfektantë, një substancë speciale e cila mbulon rrobat dhe çdo pjesë të ekspozuar të trupit.

Rusia është vendi i tretë në botë me më shumë raste kovidi, mbi gjysmë milion të infektuar deri tani, ndaj zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, thotë se për arsye sigurie janë marrë masa në ambientet ku presidenti Putin kalon shumicën e kohës në këtë periudhë pandemie.

“Lidhet me situatën epidemiologjike. Pajisjet dezinfektuese janë instaluar në pikun e epidemisë dhe sigurisht, kur flasim për kreun e shtetit, masat shtesë të sigurisë janë plotësisht të justifikuara.”

Presidenti Putin prej javësh qëndron i izoluar kryesisht në rezidencën e tij që kritikët e kanë quajtur një bunker, nga ku ai koordinon vendimmarrjen nëpërmjet telekonferencave.

Të mërkurën, Rusia raportoi mbi 7,800 infeksione të reja në vend, numri më i ulët që nga fundi i prillit, ndërsa afro 7,500 janë viktimat.

Me përmirësimin e situatës, Moska të hënën e kaluar hoqi kufizimet për udhëtimet brenda vendit, duke sjellë një vërshim të banorëve në rrugë dhe parqe.

Pas më shumë se dy muajve, të martën u rihapën edhe muzetë, libraritë, kopshtet zoologjike, klinikat dentare dhe eventet sportive.

Shumë rajone të tjera të Rusisë po përgatiten ta lënë pas pandeminë teksa afron data e referendumit kombëtar të 1 korrikut, kur presidenti Putin ka propozuar ndryshime të Kushtetutës që do i lejonin atij të qëndronte në pushtet për 12 vite të tjera.

ora news