Lugina e Shkumbinit ka potenciale të mëdha turistike, por mungojnë investimet. Banorët dhe bizneset e zonës ngrenë shqetësime për rrugën dhe mundësitë që duhen parë për të bërë këtë luginë një destinacion të plotësuar për turistët.
Kjo luginë që mbart historinë është edhe në kërkim të turistëve dhe investimeve.
Lumi Shkumbin që bashkon dy krahina, e që lidh dy dialektet gegë dhe toskë zotëron bukuri të rralla natyrore me vende piktoreske të shumta, katarakte, shpella si dhe ambiente që mund të shfrytëzohen si plazhe të vegjël. Pothuajse gjatë gjithë vijës së bregut të lumit, ka mundësi për të zhvilluar turizëm por mungojnë investimet.
Haziz Alla, nga fshati Mirakë, një nga personat që ka ngitur prej kohësh një biznes shërbimesh përgjatë luginës tregon se interesi nga turistët është shumë i madh por ky vend nuk po shfrytëzohet.
Haziz Alla: Lugina e Shkumbinit është e veçantë për Elbasanin, dikush tjetër do ta kishte zili po ta kishte, por nuk i është kushtuar rëndësi e veçantë nga askush përveç nismave individuale.
Banorët tregojnë se interes nga turistët ka, por mungon rruga.
“Vijnë goxha turistë, por rruga nuk është bërë”. “Është një vend që ja vlen të investosh diçka. Matanë është një fushë shumë e mirë. Mjafton vetëm një urë lidhëse nga ushtria që kushton shumë pak.Është krim të mos e shfrytëzosh një ambjent të tillë për turizëm.”
Vitet e fundit lumi Shkumbin është duke u shfrytëzuar si një vend ku mund të ushtrohet edhe sporti i rafting. Si një ndër luginat më të bukura në Shqipëri, lugina e lumit Shkumbin është një ndër vendet e duhura për t’u zgjedhur si destinacion për të kaluar orët e nxehta të verës.
I njohur për freskinë e ujit dhe të pyjeve Lumi i Shkumbinit tërheq çdo vit me dhjetëra banorë nga Elbasani. Janë kryesisht pensionistë apo familjarë ata që i qëndrojnë besnik turizmit lumor, të cilin e quajnë jo vetëm të bukur, por edhe me pak shpenzime.
Elbasaniflash.al