Turizmi ka nevojë për punëtorë! Sezoni po afron, hotelet rrisin pagat por ka pak interes

0
86

Sezoni turistik veror është në prag dhe bizneset bregdetare kanë nisur më herët të mendojnë se si do të përballojnë fluksin e vizitorëve. E shqetësimi i tyre është i dukshëm për plotësimin e stafit si rrjedhojë e rritjes së punës.

“Kemi frikë të na shtohet aktiviteti. Fuqia punëtore është bërë si të them, plagë në zemër”- tha Sherif Durmishaj, peshkatar.

Sipërmarrësit janë duke provuar mënyra të reja të gjetjes së punonjësve, pasi sipas tyre një lajmërim I afishuar në biznes apo rrjete sociale nuk mjafton.

 “Po tentojmë të gjejmë punonjës edhe në zona të thella malore, por edhe aty është vështirë se janë braktisur fshatrat”-tha Sherif Durmishaj.

Emigrimi po prek ndjeshëm zhvillimin e bizneseve. Sipërmarrësit turistik po vuajnë mbi të gjitha për punonjës të kualifikuar që të ofrojnë shërbim cilësor.

Sherif Durmishaj, siç të gjithë e njohin me emrin Kapedan Baci i cili prej gati dy dekadash ka një qendër peshkimi dhe restorant të vogël buzë Rradhimës, shpreh dëshpërimin për largimin e të rinjve e ata që kanë zgjedhur të qëndrojnë në vendlindje sipas tij nuk kanë interes të marrin zanatin e peshkimit.

“Unë jam i detyruar të mbaj në punë një grua që më del në pension, jo sepse është produktive por sepse nuk po gjejmë”- tha Sherif Durmishaj.

Kapedan Baci që gjatë dimrit ka hapur fjalën që është në kërkim të një familje prej 4 anëtarësh për ta punësuar, por edhe pse kanë kaluar 5 muaj askush nuk është paraqitur në biznesin e tij.  Pavarësisht se është zotuar që përveç pagës, do të përmbush nevojat e tyre.

“Ofroj kontratë, pagë të kënaqshme për secilin prej anëtarëve. Akomodim falas, edhe një makinë në dispozicion”- tha Sherif Durmishaj.

 

 

Top Channel