Turizmi rural, financim deri në 400 mijë euro nga programi IPARD

0
157

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro si dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ishin sot në Gjirokastër për të shpjeguar se si përfitohet nga thirrja e IV e programit IPARD II që mbështet turizmin rural dhe të natyrës, punimet e artizanatit dhe industrinë e manifakturës.

“Jemi në një stad të ri zhvillimi, ku 5-6 vite më parë pothuajse nuk flitej fare e që ka të bëjë me mënyrën sesi bujqësia e blegtoria mund të ktheheshin në një ekonomi jo thjesht bujqësore për mbijetesë apo ku prodhohej shqip, por me një koncept të ri për të zhvilluar një tjetër lloj ekonomie që në fakt ndërthur bujqësinë, potencialin natyror, dijebërjen në fushën e bujqësisë me turizmin”, tha ministrja Kumbaro.

Sipas ministres Kumbaro, turizmi nuk është diçka që ka të bëjë vetëm me pikat tradicionale që janë harta dhe skema klasike, sepse nuk mjafton.

“Nuk mjafton, jo vetëm për të zhvilluar atë që e kemi quajtur degën më të rëndësishme të zhvillimit të ekonomisë në dhjetëvjeçarin në të cilin kemi hyrë, pasi potenciali është shumë më i madh nëse duam të shtrijmë hartën e turizmit, zhvillimit të ekonomisë, investimeve, të të ardhurave, etj. Kemi një sinergji, dhe një hartë të re. Njerëzit nuk vijnë më në Gjirokastër vetëm për kalanë, por shkojnë në Përmet, Tepelenë, ndalen në Këlcyrë, shkojnë deri në Nivicë, për të zbuluar bujtinat e reja, falë edhe rrugëve që tashmë po shtrihen nga Çarshova deri në Përmet nga Tepelena në Kuç. Janë të gjitha investime që shkojnë drejt turizmit. Restaurimet e trashëgimisë kulturore, programet e rilindjes urbane, ndryshimi i konceptit të agroturizmit dhe investimet janë të gjitha në fakt shina paralele që çojnë në të njëjtin drejtim. Qarku i Gjirokastrës është si të thuash një Shqipëri e vogël, sepse janë të gjitha, zonat e mbrojtura, lumenjtë, bujqësia, dijebërja e përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale, industritë, etj. Na mungonte deti, tani detin e kemi afruar edhe me tunelin e Skërficës dhe rrugën që na çon drejt Himarës dhe Vlorës”, tha ministrja.

Ajo u bëri thirrje të gjithë atyre që bëjnë promocionin e aseteve turistike që të shtojnë se tashmë kjo zonë është gjysëm ore larg detit.

Ndërsa ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur se program IPARD II jetësoi më së mirë mënyrën se si mund të bëhet turizëm në fshat, nëpërmjet financimeve që rrisin standardin e cilësinë.

“Fermerët nëpërmjet financimeve që shkojnë deri në 400 mijë euro, ku 65 % është grant mund të kryejnë financime që do të ishin të pamundura të kryheshin me mjetet e tyre financiare. Ne mundësuam edhe hapësirën për të marrë gati 50 % paradhënie”, tha Krifca.

Sipas saj, thirrja e IV e programit të IPARD-it është thirrja e fundit për bllokun prej 94 milionë eurosh që supozohej të shkonte në një hark kohor prej 7-8 vite.

“Ne e realizuam për një hark kohor më pak se 4 vite”, deklaroi ajo.

Agroturizmi, ekoturizmi, turizmi i sporteve natyrore janë e tashmja dhe e ardhmja, prandaj deri më 25 shkurt është mundësia e artë për t’i bërë projektet realitet, falë mbështetjes për investimet nga 10,000 deri në 400,000 euro. /j.p/