“Turp për futbollin” – Queiroz kërkon nga Klinsmann të largohet nga FIFA pas komenteve të tij për Iranin

0
105

Përzgjedhësi Carlos Queiroz ka kritikuar ashpër Jurgen Klinsmannin pas komenteve të tij për Iranin.

Kombëtarja e Iranit e shënoi një fitore mahnitëse kundër Uellsit të premten, me rezultatin 2:0, transmeton Gazeta Express.

Irani tani ka një mundësi të mirë për të kaluar tutje në Kupën e Botës, pasi renditet i dyti në Grupin B me 3 pikë.

Ndeshja e tyre kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 29 nëntor, pritet të jetë vendimtare. ShBA-të janë në pozitën e tretë me 2 pikë. Anglia prin në këtë grup me 4 pikë, teksa Uellsi është i fundi me 1 pikë.

Fitorja e Iranit kundër Uellsit mori jehonë edhe për shkak të komenteve nga Klinsmann, i cili në paraqitjen e tij në “BBC” tha se faullet dhe përplasja me zyrtarët janë në kulturën e iranianëve.

“Po, kjo është kultura e tyre. Kjo është mënyra e tyre për ta bërë këtë, dhe kjo është arsyeja pse Carlos Queiroz përshtatet shumë mirë me ekipin kombëtar iranian. Queiroz ‘luftoi’ në Amerikën e Jugut, ai dështoi të kualifikohej me Kolumbinë, më pas dështoi me Egjiptin për t’u kualifikuar dhe më pas u kthye përpara Kupës së Botës dhe udhëhoqi Iranin, me të cilin ai punon tashmë për një kohë të gjatë. Pra, kjo nuk është rastësi, kjo është bërë me qëllim. Kjo është vetëm një pjesë e kulturës së tyre dhe mënyra se si ata luajnë, pastaj ata përplasen me arbitrin, e keni parë pankinën gjithmonë duke u hedhur lart, duke bërë presion në gjyqtarin e katërt dhe anësorin, vazhdimisht në veshët e tyre, vazhdimisht në fytyrë. Kieffer Moore ndoshta do t’u tregojë juve më shumë pas ndeshjes për incidente të vogla që nuk i pamë”, ishte shprehur Klinsmann.

Carlos Queiroz ka reaguar pas deklaratës së ish-futbollistit gjerman dhe ka kërkuar që Klinsmann të japë dorëheqjen nga roli i tij në grupin e studimit teknik të FIFA-s.

Ish-ndihmës trajneri i Manchester Unitedit bëri një seri postimesh në “Twitter”, teksa i quajti komentet e Klinsmannit si një “turp për futbollin”.

“I dashur Jurgen; Ti ke marrë iniciativën të më quash Carlos, kështu që besoj se është e duhura të të quaj Jurgen. Në rregull?. Edhe duke mos më njohur mua personalisht, ju e vini në dyshim karakterin tim me një gjykim tipik paragjykues superior. Pavarësisht se sa shumë mund ta respektoj atë që keni bërë brenda fushës, ato komente për kulturën e Iranit, Kombëtaren e Iranit dhe lojtarët e mi janë një turp për futbollin. Askush nuk mund të dëmtojë integritetin tonë nëse nuk është në nivelin tonë. sigurisht. Megjithëse duke thënë kështu, do të donim t’ju ftojmë si mysafirin tonë, të vini në kampin tonë të Kombëtares, të shoqëroheni me lojtarët e Iranit dhe të mësoni prej tyre për vendin, popullin e Iranit, poetët dhe artin, algjebra, gjithë kultura mijëvjeçare persiane… Dhe gjithashtu të dëgjoni nga lojtarët tanë se sa shumë e duan dhe respektojnë futbollin. Si amerikanë/gjermanë, ne e kuptojmë mbështetjen tuaj. Nuk ka problem. Dhe përkundër komenteve tuaja të egra në ‘BBC’ duke u përpjekur të minimizosh përpjekjet, sakrificat dhe aftësitë tona. Ne ju premtojmë se nuk do të japim asnjë gjykim në lidhje me kulturën, rrënjët dhe prejardhjen tuaj dhe se do të jeni gjithmonë të mirëpritur në Familjen tonë.”Në të njëjtën kohë, ne thjesht duam të ndjekim me vëmendje të plotë se cili do të jetë vendimi i FIFA-s në lidhje me pozicionin tuaj si anëtar i Grupit të Studimit Teknik të Katarit 2022. Sepse, padyshim, ne presim që ju të jepni dorëheqjen para se të vizitoni kampin tonë”, shkroi përzgjedhësi i Iranit. /Gazeta Express/