Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e SHBA-ve Donald Trump, mbrëmjen e së Mërkurës.
Sipas burimeve për mediat greke, Trump ka telefonuar Mitsotakis për të diskutuar zhvillimet e fundit në Mesdheun Lindor raporton abcnews.al.
Siç u njoftua nga zyra e Kryeministrit, Mitsotakis “falënderoi Trump për interesin e tij dhe për komunikimin që u zhvillua mes tyre “.
Kryeministri Grek gjithashtu “ngriti shqetësimin e tij për çështjen e veprimeve destabilizuese të Turqisë, të cilat po rrezikojnë paqen dhe stabilitetin gjerësisht në rajon dhe po testojnë kohezionin e NATO-s”.
Në të njëjtën kohë, Mitsotakis theksoi se “Greqia është e gatshme të kontribuojë në mënyrë domethënëse në një de-përshkallëzim me kusht që Turqia të ndalojë të gjitha veprimet provokuese në mënyrë të menjëhershme“.
Ndërkohë ende nuk është mësuar se cfarë ka thënë Trump gjatë kësaj bisede./abcnews.al