Turqia arreston 176 anëtarë të PKK, Erdogan: Terroristë të infiltruar nga Siria

0
33

Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya njoftoi në rrjetin social X se janë arrestuar 176 anëtarë të PKK-së, pas sulmit terrorist të së mërkurës, ku mbetën të vrarë pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë. Sipas ministrit turk, arrestimet u kryhen gjatë operacioneve në 31 provinca turke, duke përfshirë Stambollin.

Të dyshuarit akuzohen se kanë përhapur “propagandë” në favor të PKK-së dhe kanë marrë pjesë në “demonstrata të paligjshme me bllokime rrugore, vënien e zjarrit të gomave dhe hedhjen e koktejleve molotov”, ndërsa në operacion janë sekuestruar edhe armë të padeklaruara, raporton A2.

Arrestimet vijnë në më pak se 48 orë pas sulmit në selinë e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore nga 2 sulmues të identifikuar si anëtarë të PKK-së që shkaktoi vdekjen e 5 personave dhe 22 të plagosur.

Pas kthimit nga Kazani, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për sulmin terrorist, tha se ekziston mundësia e infiltrimit të terroristëve nga Siria dhe shprehu vendosmërinë për mbrojtjen dhe sigurinë e territorit, shkruan A2.

“Ne do të jemi mbrojtës të tokave tona, mbrojtës të tyre. Duhet të mendojmë në çdo kohë që atje mund të jetë ndonjë lëvizje infiltrimi kundër nesh nga Siria ose vende të tjera. Prandaj ne duhet të kemi të gjithë sigurinë tonë në përputhje me rrethanat. Ne do të vazhdojmë luftën tonë kundër të gjitha organizatave terroriste në rajon për interesat tona kombëtare dhe sigurinë e kufijve tanë, duke përdorur të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, tha ai.

Autoritetet turke kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për të luftuar terrorizmin me vendosmëri dhe për të mbrojtur qytetarët e vendit nga kërcënimet.