U godit për vdekje me thikë në sy të miqve, ky është 32-vjeçari i vrarë në Divjakë

0
2

I riu që shihni në foto është 32-vjeçari, Besmir Kumria i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme në Divjakë. Kumria ndodhej në një lokal në fshatin Kryekuq kur 25-vjeçari Xhesion Toromeni shkoi dhe e goditi me thikë në sy të miqve të tij.

Fatkeqësisht Kumria nuk arriti t’iu mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë. Autori arriti të arratisej nga vendi i ngjarjes por u arrestua nga policia disa orë pas krimit të rëndë. Sipas policisë hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen lidhen me debatet e vazhdueshme që kanë patur dy familjet e të rinjve për një kanal vaditës.

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me vrasjen e regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në Divjakë. Në njoftim bëhet me dije se gjatë mesnatës Besmir Kumria u godit me thikë në lokal nga 25-vjeçari Xhesion Toromeni.

Autori mësohet se pas ngjarjes është arratisur dhe është kapur nga policia pas disa orësh. Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Sipas policisë hetimet paraprake në lidhje me ngjarjen lidhen me debatet e vazhdueshme që kanë patur dy familjet e të rinjve për një kanal vaditës.

Njoftimi i policisë:

Divjakë/ Goditi me thikë një shtetas, i cili për pasojë humbi jetën; pas veprimeve të shpejta dhe profesionale të Policisë u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar. Pas vrasjes, autori u largua, por u kap pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operacionale të DVP Fier.

Gjatë mesnatës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Kryekuq një shtetas i paidentifikuar kishte hyrë në një lokal dhe kishte goditur me mjet prerës shtetasin B. K., 32 vjeç (i cili ishte në shoqërinë e miqve të tij), shkuan menjëherë në adresën e dhënë. U ngrit grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i ndjekjes së pandërprerë nga forcat operacionale të DVP Fier, u bë e mundur kapja dhe shoqërimi në Polici i autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 25 vjeç, banues në Kryekuq, i cili do të arrestohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi Xh. T. e ka vrarë shtetasin B. K., pasi familjet e tyre kanë pasur konflikte të vazhdueshme për një kanal vaditës në fshat. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.