Policia greke përmes Europol kërkon të gjurmojë rreth 1 milionë euro, pjesë e mbetur pa sekuestruar nga një grabitje e ndodhur në 26 shtator në zonën e Lavrios
Në 26 shtator, 4 grabitës që udhëtonin me një automjet te vjedhur, kanë grabitur një furgon që transportonte vlera monetare jashtë një dyqani të madh lodrash në Lavrio. 3 prej grabitësve të maskuar e të veshur totalisht me të bardha, fillimisht çanë gomat e furgonit të blinduar.
Më pas nën kërcënimin e armëve dhe të një eksplozivi, hodhën bojë në xhamin e parë të mjetit dhe kërcënuan punonjësit. Një prej personave që ndodhej brenda, ka hapur portën dhe grabitësit kanë arritur të marrin 1 milionë 185 mijë 226 euro.
Pas dy muaj hetime, policia arriti të identifikojë dhe arrestojë autorët në 27 nëntor. Policia arrestoi 6 persona dhe sekuestroi rreth 211 mijë euro si dhe armë e sende që përdoren në grabitje. Ata vepronin si grup i organizuar kriminal. Policia tha se të arrestuarit ishin shtetas grekë, por në mungesë të publikimit të identiteteve nuk dihet nëse kishin edhe kombësi tjetër.
Hetimi zbuloi se kreu i grupit kriminal, një 56-vjeçar, kishte precedentë të shumtë prej vitit 1993. Dy javë pas grabitjes ai rezulton të ketë udhëtuar drejt Shqipërisë. Pasi qëndroi 1 muaj në Shqipëri, ai u kthye në Athinë. Pas dy javësh qëndrimi në kryeqytetin grek, bashkë me një të afërm udhëtoi sërish drejt Parisit në Francë. Dhe i afërmi dyshohet se ka marrë pjesë në grabitje.
Burime bëjnë me dije se shtetasi grek ka partneren e tij me banim në Shqipëri.
Duke qenë se nga shuma totale e grabitur mungojnë rreth 1 milionë euro, policia greke ka kërkuar ndihmën e Europol për të hetuar lëvizjet e të dyshuarit në Shqipëri e Francë e nëse shuma e parave është transferuar pikërisht në këto dy vende.