U mbyt me tel dhe u masakrua në pjesët intime nga vajza e bashkëshortja, Prokuroria e Fierit jep DETAJE të tjera: Anesti Rama kishte çarje në ballë dhe vetull!

0
2

Prokuroria e Fierit ka dhënë ditën e sotme detaje nga vrasja e 56-vjeçarit Anesti Rama, i cili u dhunua dhe u mbyt me tel nga vajza e tij Emalinda Rama dhe bashkëshortja Valbona Rama.

Ky krim dyshohet se ka ndodhur për shkak të një lidhje intime që e reja kishte me Çlirim Dogani. Ky i fundit akuzohet se ka bashkëpunuar me vajzën dhe bashkëshorten e Anesti Ramës për vrasjen e tij.

Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi procedimin penal nr.1073, datë 24.07.2025, për dy vepra të rënda penale ndaj tre shtetasve, që akuzohen se bashkëpunuan me njëri-tjetrin dhe masakruan 56-vjeçarin.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur  23 korrik 2025, rreth orës 21:16, ku në Sallën Operative Fier u bë një telefonatë dhe u kërkua dërgimi i një ambulance, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij, në fshatin Frashër.

Nga hetimet paraprake u zbulua se trupi i viktimës kishte dëmtime në pjesën ballore të kokës. Fillimisht, e bija e të ndjerit, Emanilda Rama, dhe bashkëshortja, Valbona Rama, deklaruan se e kishin gjetur pa shenja jete në tualet dhe më pas e kishin pastruar dhe veshur për qëllime ceremoniale.

Megjithatë, pas veprimtarive të para hetimore, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive të hetimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Emanilda Rama, e dyshuar për “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, si dhe Valbona Rama, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Po ashtu, u ndalua me iniciativë i shtetasit Çlirim Dogani i dyshuar për kryerjen e veprës penale“Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Sipas njoftimit të prokurorisë së Fierit, ajo theksoi se do të vijojë me  angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra  penale kundër jetës.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi procedimin penal nr.1073, datë 24.07.2025 për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal ndaj tre shtetasve E.R. V.R. dhe Ç.D.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se, në datë 23.07.2025, rreth orës 21:16 në Sallën Operative Fier, u bë një telefonatë ku kërkohej dërgimi i ambulancës, pasi një shtetas ishte dëmtuar në ambientet e tualetit të banesës së tij të ndodhur në fshatin Frashër.

Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier ka shkuar në banesën e shtetasit A.R., të cilin e ka gjetur të shtrirë në sallonin e banesës së tij, të veshur me kostum dhe këmishë. Personeli mjekësor konstatoi se shtetasi A.R. kishte humbur jetën dhe ka njoftuar Sallën Operative se “personi për të cilin kërkuan ndihmë mjekësore është i vdekur”.

Në zbatim të procedurës hetimore të parashikuar në raste të tilla, në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor. Nga këqyrja e jashtme e trupit të të ndjerit, u konstatua se ai kishte çarje në pjesën ballore, çarje mbi vetull, një dërmishje mbi vetullën e djathtë, si dhe dëmtime të tjera.

E bija e të ndjerit, shtetasja E.R. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja V.R., i deklaruan grupit hetimor se e kishin gjetur të ndjerin në tualetin e banesës pa shenja jete dhe të gjakosur, kishin njoftuar fqinjët se ky shtetas ishte rrëzuar në tualet dhe në vijim ishte njoftuar ambulanca dhe policia. Ato e kanë lëvizur të ndjerin nga tualeti, e kanë pastruar dhe veshur, me qëllim kryerjen e riteve mortore, si dhe kanë pastruar vendin e ngjarjes.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, përfshirë edhe përdorimin e metodave proaktive të hetimit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E.R., e dyshuar për kryerjen e veprës penale“Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal, i shtetases V.R. e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal, si dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit Ç.D., i dyshuar për kryerjen e veprës penale“Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/c dhe 25 të Kodit Penal.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestimeve dhe të ndalimit, si dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për të tre personat nën hetim, kërkesa të cilat u pranuan nga gjykata.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra  penale kundër jetës.