U ndalua për shit blerje votash, lëshohet urdhër-arresti për Fredi Belerin

0
87

Një natë më parë është shoqëruar nga policia e Himarës, këtë të premte është lëshuar dhe urdhër arresti për kandidatin për kryebashkiak nga koalicioni Bashkë Fitojmë, Fredi Beleri.

Në fletën e arrestit të siguruar nga ABC News thuhet se ndalimi i Belerit është bërë në mënyrë flagrante në momentin që ai në bashkëpunim me persona të tjerë ka premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Ndërkohë gazetari Elton Nika raporton për ABC News se ish avokati i tij Bledi Dumani ka dhënë dorëheqjen nga çështja e Belerit, dhe se ajo do të ndiqet nga avokati Romario Meminaj.

Ndër të tjera mësohet se ish avokati do të jetë si dëshmitar në çështjen e arrestimit të Belerit.

Beleri në zgjedhjet e 14 majit do të jetë në listën e zgjedhjes si kandidat në garë, pasi edhe pse i arrestuar ndaj tij nuk ka një vendim gjykate në lidhje me akuzat por ka vetëm dyshime.

Ndërkaq kujtojmë se Beleri është arrestuar gjatë orëve të mesnatës në ambientet e një lokali bashkë me dy persona të tjerë ku akuzohet për shit blerje votash./abcnews.al