U njoftuan për të shuar zjarrin, vriten 2 zjarrfikës në SHBA, plagosen disa të tjerë, gjendet i vdekur edhe agresori

0
2

Dy persona, që besohet të jenë personel zjarrfikës, u qëlluan për vdekje dhe të tjerë u plagosën ndërsa po i përgjigjeshin një njoftimi ndaj një zjarri të rënë në Coeur d’Alene, Idaho.

Edhe një burrë i pajetë me një armë pranë tij u gjet nga ekipet SWAT në Idaho, pas një incidenti të rëndë në zonën malore të Coeur d’Alene.

Autoritetet nuk e konfirmuan menjëherë nëse burri i gjetur i vdekur është autori i sulmit, por pas gjetjes së trupit të tij, masat e sigurisë dhe kufizimet në zonë u hoqën.

Sherifi i Qarkut Kootenai, Robert Norris, kishte deklaruar më herët se forcat e rendit po përballeshin me një ose më shumë snajperë, ndërsa zjarrfikësit po përpiqeshin të shuanin një zjarr në shkurre në zonën malore të Malit Canfield. Ai e përshkroi situatën si “një kërcënim të madh” dhe u kërkoi forcave të sigurisë të veprojnë për ta neutralizuar.

Zjarri fillestar, që dyshohet të jetë vënë qëllimisht për të tërhequr ekipet e ndihmës në vendngjarje, vijon të hetohet për zjarrvënie të qëllimshme, konfirmoi zëvendëssherifi Jeff Howard për ABC News.

Guvernatori i Idaho-s, Brad Little, e quajti sulmin “të neveritshëm” dhe “shokues”, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë larg zonës dhe të luten për zjarrfikësit dhe familjet e tyre. Edhe Shefi i Zjarrfikësve të Qarkut, Pat Riley, u shpreh “i zemërthyer” nga humbja e jetëve të kolegëve të tij.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, është informuar mbi situatën, ndërsa FBI ka dërguar njësi për mbështetje taktike dhe hetimore.

Ngjarja ndodhi në Zonën Natyrore të Malit Canfield, një park prej 24 akrash me shtigje për ecje dhe çiklizëm, i mbuluar nga pyje të dendura në lindje të qytetit Coeur d’Alene.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivet e sakta dhe numrin e saktë të viktimave apo të plagosurve.