U përmend në raportin e DASH, Manja: Burgu i Zaharisë mbyllet brenda këtij muaji, të dënuarit transferohen në Lezhë

0
163

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, deklaroi sot se brenda këtij muaji do të mbyllet burgu i Zaharisë në Krujë.

Gjatë një takimi me gazetarë ai shtoi se të dënuarit e sëmurë do të transferohen përkohësisht  në burgun e Shënkollit në Lezhë derisa të ndërtohet spitali për ta e që më pas do të kalojnë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Lezha është stacion i ndërmjetëm. Kemi patur një takim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ata kanë disa opsione se cilin spital do të përshtasin” tha ai.

Shqetësimi për burgun e Zaharisë nënvizohej edhe në raportin e DASH të bërë publik një ditë më parë.

Shqiptar i Helsinkit (KSHH) dhe Zyra e Avokatit të Popullit  raportojnë për mbipopullim në këtë institucion të vuajtjes së dënimit. Zyra e Avokatit të Popullit vlerëson se ka probleme urgjente në infrastrukturë.

Zyra e Ombudsmanit dhe organizatat joqeveritare (OJQ) raportuan se autoritetet mbanin të burgosur me aftësi të kufizuara mendore në burgje të rregullta, ku qasja në kujdesin e shëndetit mendor ishte e pamjaftueshme.

Që prej vitit 2018 Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë janë përpjekur të akomodojnë të burgosurit dhe të paraburgosurit e Zaharia në burgun e Lezhës.

KShH dhe Avokati i Popullit raportuan se qeveria nuk kishte marrë masa për t’i kthyer ndërtesat e planifikuara në burgun e Lezhës në një institucion të posaçëm mjekësor.

Ministria e Drejtësisë po ndërton një burg për të burgosurit mbi 60 vjeç që është planifikuar të përfundojë në vitin 2021.

Burgu i Zaharisë në Krujë, ndodhet vetëm 15 kilometra larg Tiranës. Të dënuarit e izoluarit në qelitë e godinës thuajse të rrënuar, janë të sëmurë të shëndetit mendor, para apo tetraplegjikë si dhe të moshuar mbi 65 vjeç.