Gjatë protestës së djeshme të opozitës është plagosur një nga protestuesit i cili pësoi djegie të shumta në gjymtyrët e poshtme. Pamjet nga momenti kur ai është i rrethuar nga flakët kanë bërë xhiron e rrjetit ndërsa sot Kujtim Ymeri ka folur në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore.
Ymeri në një intervistë telefonike për “Syri Tv” foli nga spitali i Traumës ku dha detaje se çfarë ndodhi mbrëmjen e së hënën në protestën e opozitës dhe përballjen e protestuesve me policinë. Sipas tij, djegia që ka pësuar ka ardhur për shkak të mungesës së profesionalizmit së policisë. Ai shtoi se dikush hodhi molotov në drejtim të policisë, dhe ata e hodhën në drejtim të protestuesve.
Ymeri u shpreh se aktualisht po merr mjekim te Trauma, për djegie të shkallës së tretë dhe bashkë me të në dhomë është edhe një punonjës policie. Ai shtoi se një nga infermieret i ka thënë se çfarë iu desh të shkonte në protestë.
“Një nga infermierët, më tha se çfarë t’u desh ty që të shkoje në protestë. Jo vetëm të gjitha institucionet që janë militalizuar, por edhe shëndetësia. Infermierja më tha që është turp që keni dalë në protest.
Në shumë zona ka arrit në shkallë të 3 djegia, jam dëmtuar në gjymtyrën e poshtme. Nuk ka reaguar asnjë efektiv për zjarrin që më përfshiu por vetëm një qytetar, që më ndihmoi dhe lajmëroi ambulancën. Dikush hodhi molotov në drejtim të policisë, dhe ata e hodhën në drejtim të protestuesve, pa llogaritur se kush ishte. Një mungesë totale profesionalizmi.
Më vjen keq nga deklaratat e ministrit, jam në një dhomë me një efektiv policie. Nuk ditëm të reagonin, më tha polici. Politika po i përdor dhe po i tmerron. Ka një politizim të madh dhe na japin modele se si duhet të veprojmë. Zgjedhjet se s’bën do të arrihet diçka që të hiqet ky regjim. Duhet të vijë se s’bën ndryshimi. Ka njërëz që dalin nga mllefi dhe varfëria. Kanë bërë veprime të papërashtatshme, po e çojnë vendin në luftë dhe vëllavrasje.
Kësaj policie i ka lënë hapësira për t’i përdorur. Ministri Hoxha s’ka ardhur fare, kanë ardhur vetëm 2 efektivë që njëri iku mbrëmë, ndërsa tjetri është këtu me djegie. Njërin nga policët që ishte më mirë e hoqën nga dhoma ime dhe e çuan në takimin me ministrin e Brendshëm, e kanë bërë takimin jashtë. Besoj se do t’ia dalim,” tha ai.