Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) zyrtarizoi sot mandatet për deputetët e Qarkut Tiranë, mes të cilëve edhe Tedi Mula, i zgjedhur përfaqësues i Partisë Socialdemokrate (PSD) në zgjedhjet e 11 majit.
Pas konfirmimit të mandatit, Mula deklaroi se fokusi i tij në Kuvend do të jetë rinia, siguria ushqimore dhe përshpejtimi i procesit të integrimit evropian të vendit
“Të rinjtë, por edhe kauza të tjera që kemi si parti, do të jenë në qendër të vëmendjes sime në parlament. Prioritet do të kenë punësimi i të rinjve dhe ndërtimi i politikave që i motivojnë ata të qëndrojnë në vend”, tha Mula.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e sigurisë ushqimore, duke bërë thirrje për ndëshkime të rënda për ata që tregtojnë produkte që cënojnë shëndetin e qytetarëve.
“Dënimet duhet të jenë drastike për ata që rrezikojnë jetën e qytetarëve me ushqim të pasigurt,” u shpreh ai.
Deputeti i ri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak në komisionet parlamentare, veçanërisht në ato që lidhen me ligjet dhe integrimin evropian.
Lidhur me zgjedhjet e pjesshme vendore që priten në disa bashki, Mula u shpreh se PSD nuk do të garojë me kandidat të sajin për kryetar bashkie, por do të mbështesë Partinë Socialiste.
“Nëse do të zhvillohen zgjedhje të pjesshme, ne do të jemi në mbështetje të PS, pasi këto zgjedhje janë vetëm për kryetarin. Ne do të garojmë vetëm për anëtarët e këshillave bashkiakë,” sqaroi ai.