Ecja me kuaj, një aventurë ekologjike e plot adrenalinë, për të vizituar bukuritë natyrore, monumentet e kulturës, fshatrat karakteristike dhe traditën janë kthyer në një atraksion të ri turistik për shumë të apasionuar pas këtij sporti.
Ky udhëtim po përdoret gjithnjë e më shumë nga ata që e ofrojnë këtë shërbim edhe në vendin tonë për një fundjavë të pazakontë në zbulim të shumë zonave të bukura që ofron vendi ynë.
Një nga këto zona është edhe Shqeria në Përmet, ku ditët e fundit kanë qenë të shumtë vizitorët, të cilët kanë preferuar të kalojnë fundjavat në këtë pikë turistike.
Drejtori i Administratës ë Zonave të Mbrojtura, Gligor Dushi, tha sot për ATSH-në se “në zonën e Shqerisë, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës, pas daljes nga izolimi ka filluar frekuentimi i saj nga turistët vendas, që janë pjesa më e madhe, si dhe pak turistë të huaj”.
“Vizitorët përveç përjetimit të bukurive të natyrës gjatë kësaj stine, për të vizituar fshatrat karakteristike dhe monumentet e kulturës kanë shijuar edhe udhëtimet me kuaj”, – tha Dushi.
Sipas tij, vitin e kaluar kishim një numër të lartë turistësh të huaj, por këtë vit për shkak të pandemisë numri është i vogël.
“Por shpresojmë që në 15-ditëshin e dytë të korrikut dhe gjatë muajit gusht të kemi një rritje të numrit të turistëve”, – theksoi Dushi.
Dushi tregon se shtegu më i preferuar i turistëve është ai përgjatë kanionit të Lengaricës, një shteg i vjetër që shumë vite më parë lidhte disa fshatra të zonës.
“Në këtë shteg ndodhen urat e gurta të Mixhait dhe të Babos, që datojnë që nga koha e Perandorisë Osmane”, – shton Dushi.
Ecjet me kuaj ndjekin shtigje në atë pjesë të parkut kombëtar, që ndodhet pranë kanionit të Lengaricës dhe Ujërave Termale, një nga atraksionet më të vizituara në zonën e Përmetit.
Bredhi i Hotovës është Park Kombëtar, ndodhet në jug të Shqipërisë, pak kilometra nga qyteti i Përmetit dhe mund të cilësohet si mushkëria natyrore e Shqipërisë Jugore.
Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky Park Kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora, por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij.
Pamja madhështore e parkut të shfaqet nga hyrja e luginës së Lumicës e deri afër majës së malit të Kokojkës. Bredhi i Hotovës konsiderohet një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme në vend dhe është një nga parqet më të mëdhenj në Ballkan me Bredh Maqedonas./atsh