UEFA shtyn ndeshjen Vllaznia-Valur

0
64

Vllaznia do të luajë shanset e saj për një kualifikim në fazën tjetër të Conference League përballë Valurit këtë të enjte në stadiumin “Loro Boriçi”.

Sfida e parashikuar për të startuar në orën 18:00 në Shkodër është shtyrë me një vendim të UEFA-s.

Miqtë nga Islanda kanë kërkuar që sfida të fillojë më vonë për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë Shqipërinë dhe qeveria europiane e futbollit ka rënë dakord për të zhvendosur ndeshjen në orën 20:30 të mbrëmjes.

Kuqebklutë do të luajnë për fitoren, pasi në 100 minutat e luajtura në Rejkjavik, të dy ekipet shënuan dy herë në portat respektive duke e mbyllur ndeshjen në barazim.

Sakaq, Vllaznia vijon prej disa ditësh stërvitjen dhe teknikut Thomas Brdariç i është dashur të përballet me 2 mungesa të rëndësishme.

Te kuqeblutë mungon Ildi Gruda për shkak dëmtimi, ndërsa kartonët do të lënë jashtë kësaj ndeshje të rëndësishme Ardit Deliun.

Në formacionin që Brdariç do të hedhë në fushë pritet të ketë vetëm një risi, me vendin e Deliut që do ta zërë Alivoda, duke formuar tridentin e mesfushës përkrah Krymit dhe Qatos.

Formacioni i mundshëm i Vllaznisë mund të jetë ky: Qarri – Gurishta, Stojanovic, Juric, Bajrami – Qato, Krymi, Alivoda – Kahrimanovic, Balaj, Mala.