Pjeshka e Divjakës e kontaminuar me nikel është asgjësuar në Kroaci dhe nuk u kthye në vendin e origjinës.
Kështu njofton ministria e Bujqësisë në një komunikatë zyrtare datë 22 gusht.
“Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas. Sasia prej 5,562 kg pjeshkë u dërgua drejt Kroacisë, ku edhe u asgjësua”.
Përmbajtja e nikelit mbi normat e lejuara bëri që Kroacia të asgjësojë menjëherë pjeshkën, pasi ky metal i rëndë mund të shkaktojë sëmundje kancerogjene dhe të rrezikojë shëndetin e njeriut.
Ekspert i sigurisë ushqimore, Kapllan Sulaj thotë: “Nikeli është një metal shumë i rrezikshëm, nxit sëmundjet alergjike dhe bllokon aparatin e frymëmarrjes, madje është tepër kancerogjen, prandaj është në listën e metaleve më të rrezikshme.”
Edhe pse AKU thekson se ky produkt nuk ka hyrë në tregun vendas dhe nuk është konsumuar nga shqiptarët, ministria nuk ka sqaruar se si ky metal i rëndë arriti të gjendej në produkt. Ekspertët e sigurisë ushqimore tregojnë se pjeshka mund të jetë kontaminuar nga spërkatja me pesticide që përmbajnë metale të rënda.
“Pesticidet e reja kanë në përbërje të tyre metale të rënda, siç është nikeli. Ato mund të jenë spërkatur mbi bimë për të eliminuar insektet, sepse nikeli bllokon frymëmarrjen e gjallesave”, thotë Sulaj.
Por kjo nuk është rruga e vetme e mundshme, pasi tokat bujqësore të Divjakës ku është kultivuar pjeshka mund të jenë furnizuar me ujë nga lumenjtë që përmbajnë nikel.
Shpend Ahahini, ekspert i sigurisë ushqimore: “Pjeshka me nikel mund të ketë rezultuar nga vaditja e tokës me ujë nga lumenjtë Devoll ose Shkumbin, të cilët përmbajnë metale të rënda. Por para se të flasim, duhet të bëhen analiza.”
Sistemi i gjurmueshmërisë nuk duhet të garantojë vetëm lokacionin e produktit, por mbi të gjitha duhet të japë përgjigje përse ky metal u gjend në pjeshkë, nëse fajin e ka fermeri, toka apo uji.