“Ukraina jo në BE para Ballkanit”, Rutte: Nëse anëtarësojmë Kievin, zhgënjehet Shqipëria e Maqedonia e Veriut

0
138

Disa vende të BE-së nga Evropa Qendrore e Lindore janë dakord që blloku t’i ofrojë procedura të përshpejtuara Ukrainës për t’u anëtarësuar, por i këtij mendimi nuk ka qenë kryeministri holandez i cili tha se kjo do të zhgënjente vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Holandës Mark Rutte ka kundërshtuar anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian përmes procedurave të përshpejtuara.

Sipas tij, nëse BE bën këtë për Ukrainën, do të zemëronte vendet aspiruese të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Rutte: Dhënia e privilegjit ndaj Ukrainës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të shkaktonte një zhgënjim serioz në vendet e Ballkanit Perëndimor. Rreziku i procedurave të përshpejtuara për Kievin do të rrezikonte stabilitetin në Ballkan. Mund të jetë një kërcënim sepse ka vende si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të cilat aspirojnë integrimin dhe kjo është një çështje shumë e ndjeshme.

Kreu i qeverisë tha se procedurat  e përshpejtuara për anëtarësim nuk duhet të ekzistojnë dhe se të gjitha vendet përfshirë Ukrainën duhet të futen në një proces si të gjitha shtetet anëtare.

Rutte: Integrimi në Bashkimin Evropian është një proces dhe nuk duhet të ketë asnjë procedurë të përshpejtuar për anëtarësim. Nëse do ta bënim këtë, ne do ta kthenim aktin e integrimit në një proces politik dhe kjo nuk duhet të ndodhë.

Ndërkohë disa vende anëtare të bllokut evropian, kryesisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore kanë qenë të mendimit se Ukrainës duhet t’i ofrohen procedurat e përshpejtuara për anëtarësim në BE.