Ukraina nuk gjen qetësi, amerikanët thonë se rusët po sjellin më shumë trupa në kufi

0
142

Situata në Ukrainë vijon të mbetet e tensionuar. Vetë presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se nuk ka tërheqje, por se rusët kanë sjellë në kufi rreth 60 % të forcave të tyre tokësore dhe armatim të rëndë.

“Çdo e dhënë na thotë se ata janë të përgatitur të hyjnë në Ukrainë, të sulmojnë Ukrainën”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Rusët ndërkaq kanë thënë se janë duke i tërhequr trupat nga kufiri për në bazat e tyre, teksa e kanë cilësuar reagimin amerikan si histerik dhe rusofob. Rusia nuk ka në plan ta pushtojë fqinjin e saj kanë thënë zyrtarë të lartë rusë, por nuk ka munguar edhe një kërcënim i drejtëpërdrejtë. Rusia mund të kundërpërgjigjet me “masa ushtarake dhe teknike” për të garantuar sigurinë e saj pasi SHBA-ja dhe NATO-ja injoruan pikat kyçe të propozimit të saj për një arkitekturë afatgjatë të sigurisë evropiane, tha Moska të enjten.

Ka qenë një dokument prej 10 faqesh, i publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Ruse të enjten, ku amerikanët dhe aleatët, sipas rusëve refuzuan të adresonin “vijat e kuqe” që kishte Rusia dhe interesat e saj kryesore të sigurisë.

Më herët janë shfqur tensione edhe në rajonet e Ukrainës lindore, ku ushtria ukrainase dhe rebelët e mbështetur nga Rusia kanë akuzuar njëri – tjetrin se kanë qëlluar të parët me municion. Për sekretarin Blinken, rusët po kërkojnë një pretekst për të hyrë në Ukrainë me ushtri, por që për rusët nuk është e vërtetë.

Këtë të enjte, liderët më të rëndësishëm të Perëndimit dhe më gjerë do të jenë në Munchen, ku do të zhvillohet edhe konferenca e përvitshme e Sigurisë. Kriza në Ukrainë pritet të marrë një vëmendje qendrore në këtë Konferencë.