Çdo refugjat ukrainas në Poloni ka qasje në tregun e punës si dhe në sistemin shëndetësor dhe social. Para zyrave të regjistrimit ka radhë të gjata. Por e ardhmja e migrantëve të rinj është e pasigurt.
Për refugjatët ukrainas në Poloni, fjala magjike këto ditë është “PESEL”. Është shkurtesa e numrit polak të sigurimeve shoqërore. Qeveria polake u ka premtuar të gjithë refugjatëve të luftës nga Ukraina fqinje qëndrim deri në 180 ditë dhe akses në tregun e punës, sistemin shëndetësor dhe përfitimet sociale. E gjithë kjo mundësohet nga PESEL. Tabela më e madhe e regjistrimit ku refugjatët mund të aplikojnë për një numër PESEL ka qenë që nga e shtuna (19 mars) në Stadiumin Kombëtar në Varshavë.
Që një ditë më parë aty ishin krijuar radhë të gjata. Termose me çaj të nxehtë u vunë në dispozicion në portën e stadiumit. “Do të pres këtu sa të ketë nevojë. Më duhet leja e punës, më duhet të gjej punë dhe sa më shpejt të jetë e mundur,” tha për DW Viktoria, 24 vjeç.
Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 9 të mëngjesit, specialistja e IT nga Kievi arrin të hyjë në stadium. Gjatë natës, ajo mbante radhë me miqtë e saj dhe ndërkohë flinte në makinë në parkingun e madh përballë stadiumit. Numrin PESEL të saj ajo pritet ta marrë brenda pak ditësh. Ata që mbërrinin në stadium pas orës 7 të mëngjesit nuk kishin asnjë shans për t’u shërbyer të njëjtën ditë. Vullnetarët kishin përgatitur byzylykë ngjyrë vjollce dhe ua shpërndanin atyre që e kishin të garantuar radhën ditën e nesërme
Sfidë për administratën polake
Më shumë se dy milionë refugjatë ukrainas ndodhen aktualisht në Poloni. Të mërkurën dhe të enjten, ditët e para të operacionit të regjistrimit, u regjistruan 123 mijë prej tyre. Pikat shtesë të regjistrimit – si ajo në stadiumin kombëtar – dhe autobusët e regjistrimit që do të shkojnë në qendrat e strehimit të refugjatëve duhet të përshpejtojnë operacionin. Shërbimet bashkiake dhe komunale që zakonisht caktojnë numrat e sigurimeve shoqërore janë të mbingarkuara.
Në qytetin polak Przemysl, pranë kufirit me Ukrainën, zyra komunale po punon me kapacitet të plotë, por me vetëm katër aparate për marrjen e gjurmëve të gishtave dhe shtatë nëpunës civilë gjithsej – kohët e pritjes janë të gjata edhe këtu. Oxana Kolesnyk ka punuar si nëpunëse banke. “Unë nuk flas polonisht dhe ndoshta nuk do të jetë e mundur të punoj në ndonjë bankë – e pres këtë. Por më duhet të gjej një punë shpejt për të garantuar jetesën time dhe të tim biri,” thotë ajo. Kur u largua, ajo mori pasaportën, e cila lehtëson formalitetet. Për personat që ikën nga lufta pa dokumente identiteti, procedurat janë më të gjata. Edhe ata janë të mirëpritur në Poloni, megjithëse identiteti i tyre nuk mund të verifikohet plotësisht.
Pasiguri në vendin e ri
Ligji i posaçëm i miratuar së fundmi nga Parlamenti u garanton njerëzve që janë larguar nga vendi qasje në tregun e punës, kujdesin shëndetësor dhe përfitimet sociale, duke përfshirë pagesat mujore familjare prej 110 euro për fëmijë. Të sapoardhurit marrin 70 euro si kompensim mirëseardhjeje, pas kësaj duhet të organizohen për të mbajtur veten. Një ligj i posaçëm u garanton më tej qytetarëve polakë që presin ukrainasit ekuivalentin e 9 eurove në ditë për shpenzimet.