Ulen kërkesat për azil në Britani! Shqiptarët bien nga “froni”, jo në top 5 e emigrantëve të paligjshëm

0
2

Emigrantët e paligjshëm shqiptar zyrtarisht nuk janë më një problem në Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet kanë publikuar bilancin e emigracionit për vitin që kaloi, duke raportuar një rënie të kërkesave për azil në përgjithësi, si dhe një rritje të atyre që mbërrijnë në Britani përmes gomoneve, shkruan A2 CNN. “Shqipëria është paraqitur gjithashtu për të reflektuar se ishte një kombësi me një numër të madh kërkesash për azil gjatë viteve të fundit, por nuk është më një nga 5 kombësitë kryesore”, lexohet në një raport të gjatë të qeverisë së Londrës.

Piku i kërkesave për azil nga shqiptarët, sipas grafikut zyrtar të Britanisë së Madhe, është nga viti 2021 deri në 2024. “Kërkesat e shqiptarëve u rritën me shpejtësi pas një numri të lartë mbërritjesh me gomone në verën e vitit 2022. Në përgjigje të kësaj, në dhjetor 2022 u miratua komunikata e përbashkët Britani e Madhe-Shqipëri, e cila synonte përshpejtimin e kthimit të shtetasve shqiptarë pa të drejtë qëndrimi dhe riafirmonte statusin e Shqipërisë si një vend i sigurt.

Që atëherë, numri i kërkesave të azilkërkuesve nga Shqipëria ka parë një rënie të madhe dhe është rikthyer në nivelet e para vitit 2021. Shtetasit shqiptarë përfaqësonin vetëm 2% të aplikuesve vitin e fundit (1,816 persona që kërkuan azil)”, lexohet në raportin e qeverisë Britanike.

Më shumë se 100 mijë njerëz kërkuan azil në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit të kaluar deri në dhjetor, 4% më pak se një vit më parë, sipas shifrave të reja të Ministrisë së Brendshme. Katër në 10 prej këtyre njerëzve mbërritën me anije të vogla, rreth 41 mijë në total, që është një rritje prej 13% krahasuar me vitin e kaluar, por 9% më e ulët se kulmi në vitin 2022. 30 mijë azilkërkues ishin të vendosur përkohësisht në hotele duke shënuar rënien në nivelin më të ulët në 18 muaj. (A2 Televizion)

Ardit Murataj