Janë më shumë se 20000 hektarë ullinj që krijojnë kurorën e gjelbër të qytetit të Elbasanit. Kultivimi i këtij druri është pasion i elbasanllinjve, jo vetëm se ulliri është një pemë që gjelbëron në çdo stinë, por edhe se frutet e tij janë mjaft të ushqyeshme dhe kurative.
Në fund të kësaj kurore, ndodhet një pemë ulliri e veçuar nga të tjerat, e rrethuar nga një lëndinë e vogël. Pranë këtij ulliri ndodhet dhe një çezmë, e ndërtuar në vitin 1900 nga kalajasi Pal Shuteriqi.
Kjo pemë prej mëse një shekull e gjysmë njihet me emrin ‘Ulliri i qejfit’. Etnologu i njohur elbasanas, Thanas Meksi, thotë se “është quajtuar kështu pasi nga kjo pikë Elbasani shihej në pëllëmbë të dorës dhe panorama që të shfaqej ishte vetëm gjelbërim. Nga ky vend shihej ullishta gjithandej, deri afër Petreshit dhe ajo që të ofrohej ishte vërtetë e mrekullueshme”.
Duke vijuar shpjegimin e tij lidhur me këtë emër, etnologu Meksi shtoi se “atje njerëzit shkonin për qejf, për të parë nga lart qytetin e tyre, për t’u freskuar nga ajo çezmë dhe më pas uleshin së bashku, drekonin dhe diskutonin për probleme të ndryshme”.
Pikëpjekja e tyre, vijon etnologu Meksi, kishte një emër ‘Ulliri i qejfit’, pasi atje shkonin veç për qejf. Edhe këngëtari i njohur elbasanas, Isuf Myzyri, shkonte shpesh atje me miqtë dhe grupin popullor. Shoqëria e Shuteriqve dhe e Xhufkave të kalasë, frekuentonin këtë pikë turistike çdo fundjavë, ndërsa poetë të ndryshëm, ndër të cilët përmenden Nexhip Ejupi e Milianov Kallupi i kanë kushtuar vargje “Ullirit të qejfit’. ‘Ulliri i qejfit’ vijon etnologu elbasan, është tempulli kryesor ku shprehet dashuria për qytetin. “Kurora e ullirit nënkupton për banorët mirësi, paqe e mbarësi”, shprehet ai. Kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, një frekuentues i rregullt i kësaj pike, kujton momente nga fëmijëria e tij. “Shkonim gjithnjë atje lart. Prindërit e mi kishin një dëshirë të madhe të shijonin atë natyrë të qetë e të pastër”, vijon ai. “Kam shëtitur në shumë vende përgjatë këtyre viteve, por ai ulli dhe ajo lëndinë e vogël, mbetet ndër më të bukurit”, shprehet kryebashkiaku Sejdini. Tashmë ‘Ulliri i qejfit’ nuk vizitohet si dikur. “Ky vend kaq i mrekullueshëm ka nevojë për investim. Çezma, e cila ka më shumë se një shekull që është ndërtuar, duhet restauruar
M.Sadiku