Unaza e martesës…/ Policia në kërkim të një gruaje bjonde në Tiranë

0
315

Policia është vënë në kërkim të një gruaje bionde, rreth 45 vjeç, e cila shfaqet në kamerat e sigurisë teksa ulet përtokë dhe merr diçka.

Besohet se sendi që gruaja e panjohur merr dhe përvetëson nga ky veprim është një unazë martese që u kallëzua e humbur nga një burrë. Sipas një burimi zyrtar, kallëzimi u regjistrua nga shtetasi me inicialet P. T. Ai pretendoi para policisë se i kishte humbur unaza, e më pas i pyetur nga oficeri T. M, ai ka dhënë gjithashtu edhe detaje.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë harresë, pasi kishte larë duart një veprim i shpeshtë në këto kohë pandemie. As që bëhet fjalë për rrëmbim të unazës së florinjtë nga ndonjë hajdut.

Siç shton më tej burimi i sigurt, rezulton nga veprimet e mëpasshme të kryera nga agjentët e policisë se burri gjendej në tregun e fruta-perimeve që gjendet në rrugën ‘Vasil Shanto’.

Denoncuesi rrëfeu se ditën e humbjes së unazës së martesës, ai kishte shkuar si përditë për të bërë pazarin.

‘Aty në rrugë, një burri i ra të fikët dhe unë u mundova ta ndihmoj. Më pas, aty erdhi ambulanca dhe e mori, pas kësaj u afrova te dyqani i fruta-perimeve dhe kërkova pak dezinfektues për të pastruar duart’.

Siç tregon më tej burri, por edhe siç kuptohet nga këqyrja e kamerave të sigurisë, besohet se gjatë këtij veprimi kur P. T lan e fërkon duart me solucion, ai me shumë mundësi ka provokuar heqjen e unazës, të cilën as që e ka ndjerë që i ka rënë.

‘Unë nuk e diktova që unaza më ra. Bleva qershi dhe u largova’, pretendon më tej kallëzuesi, sipas të cilit më pas duke u kthyer në shtëpi ka parë që unaza e martesës i mungonte.

Menjëherë ai është kthyer dhe ka kërkuar.

‘Më thanë në dyqan që unazën e gjeti një grua përtokë, që kishte këmbëngulur që ishte e saja, pastaj hapëm kamerat dhe ashtu ishte.

Një grua ulet dhe merr diçka’, rrëfen burri, i cili këmbëngul në kërkesën e tij për gjetjen e gruas që më pas do t’i kthejë unazën e rëndësishme.

Policia shpjegon për gazetën ‘Si’ se ky denoncim është marrë shumë seriozisht, jo vetëm për faktin që unaza është një kujtim i rëndësishëm për P. T, por edhe sepse ai ua ka thënë hapur këtë gjë. Policia radhit veprimet e mëpasshme të kryera nga oficeri përkatës.

‘Ne shkuam në vendin ku humbi unaza, konstatuam një kamera sigurie dhe pas hapjes së tyre, u bindëm që çdo fjalë që thoshte i dëmtuari ishte pikërisht ashtu. Aty shfaqet një grua që përkulet dhe merr diçka që është unaza dhe pastaj kuptohen edhe veprimet e saj që bëhej fjalë për një send që është unazë’, thotë një zyrtar policie.

Pas këtij momenti, kur burri pret kthimin e unazës, policia ka përparuar dhe ka kërkuar edhe ndihmën e komisariateve të tjera. Në të gjitha komisariatet në kryeqytet është shpërndarë nga drejtoria qendrore fragmenti filmik i gruas që përvetësoi unazën e floririt për të mundësuar identifikimin e saj. Ajo është për momentin në kërkim policor për përvetësimin e një sendi të gjetur, që është shumë më tepër i rëndësishëm se floriri.

SYRI.net