Studentët në Shqipëri denoncojnë se jetojnë në një mjedis presioni ku pedagogë dhe staf administrativ u kërkojnë ryshfet për të kaluar provimet.
Të dhënat janë publikuar nga një raport i Qëndresës Qytetare. Rezultatet, e mbështetura në anketimin e 750 studentëve në 8 universitete publike, tregojnë se korrupsioni është shndërruar në një praktikë të normalizuar. 89.98% e studentëve thonë se korrupsioni ekziston, 44% e konsiderojnë universitetin ku studiojnë si tërësisht të korruptuar dhe 9.61% pranojnë se kanë paguar për një notë më të mirë. Këto deklarime përputhen me hetimet e prokurorive dhe SPAK, ku vetëm për vitet 2021–2025 janë marrë në hetim 50 pedagogë të universiteteve publike.
Prokuroritë në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër dhe qendra të tjera raportojnë çështje të hapura ndaj pedagogëve për kërkim ryshfeti, shpërdorim detyre dhe marrje përfitimesh të paligjshme. Shkodra mban rekordin me 13 pedagogë të përfshirë në hetime.
Elbasani ka 9 raste të hapura, disa drejt SPAK. Në vitin 2025 SPAK përfundoi hetimet për 27 zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, pjesë e stafit akademik dhe administrativ, për procedura të dyshuara korruptive. Studentët raportojnë se pagesa për nota është forma më e përhapur e korrupsionit, e ndjekur nga detyrimi për të blerë libra të pedagogëve; në Universitetin Bujqësor, 59.62% e studentëve besojnë se nota blihet.
Raporti evidenton një tjetër problem kritik: 14.3% e studentëve thonë se janë përballur me presion të drejtpërdrejtë për të paguar, ndërsa 27.47% shprehin frikë të denoncojnë. Rreth gjysma e studentëve tregojnë se mësuesit e tyre nuk zotërojnë lëndën që japin. Situata bëhet më e rëndë kur shikohet mungesa e reagimit institucional. Këshillat e Etikës kanë trajtuar vetëm 16 çështje në katër vite në të gjithë vendin, një shifër minimaliste që nuk reflekton dimensionin real të problemit. Universitetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Korçës nuk kanë raportuar asnjë rast plagjiature apo shkelje etike, megjithëse në prokurori ekzistojnë hetime aktive ndaj pedagogëve të tyre.
Një zbulim veçanërisht i rëndë lidhet me rikthimin e ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të rrëzuar nga procesi i Vetingut në sistemin akademik, disa prej tyre si ligjërues në universitete publike. Raporti liston të paktën 8 raste të tilla në Korçë, Tiranë, Durrës dhe universitete private. Këto figura janë larguar nga drejtësia për probleme me pasurinë, konflikt interesi dhe dyshime të tjera serioze, por sot japin mësim tek studentët që pritet të përfaqësojnë elitën e së ardhmes. 43.87% e studentëve deklarojnë se duan Veting akademik, ndërsa një pjesë tjetër hezitojnë; kjo tregon se besimi në universitetet publike është goditur rëndë.
Raporti thekson se korrupsioni në universitete lidhet me strukturat e brendshme, mungesën e kontrollit dhe mekanizmave të raportimit. Studentët informohen për aferat e pedagogëve kryesisht nëpërmjet miqve dhe familjarëve. 44.29% e të anketuarve thonë se e kanë marrë vesh korrupsionin përmes kanaleve informale, gjë që tregon mungesë transparence dhe frikën për të folur hapur. Ndërkohë, universitetet nuk përdorin sisteme efektive anti-plagjiaturë ndaj pedagogëve, ndërsa 69.84% e studentëve të Universitetit të Tiranës besojnë se plagjiatura është e përhapur te stafi akademik.
Rritja e rasteve të raportuara nga prokuroritë, numri i lartë i hetimeve të SPAK dhe mungesa e ndëshkimeve nga universitetet tregojnë një sistem të çorganizuar, ku korrupsioni është bërë pjesë e jetës akademike. Studentët kërkojnë platforma anonime denoncimi, kontroll të plagjiaturës, transparencë në punësimet akademike dhe ndalim të rikthimit në auditorë të personave të rrëzuar nga drejtësia. Raporti ngre një alarm serioz: universitetet po humbasin funksionin e tyre si institucione të dijes dhe po kthehen në mjedise ku nota, karriera akademike dhe morali publik rregullohen nga ryshfeti dhe lidhjet personale.
Gjetjet Kryesore
1. Gjatë viteve 2021–2025 sipas prokurorive janë akuzuar për korrupsion 50 pedagogë të universiteteve publike.
Nga informacionet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm për vitet 2021–2025, rastet e korrupsionit që përfshijnë personel akademik të universiteteve publike rezultojnë të shpërndara në disa qytete. Në Shkodër, 13 pedagogë (5 me hetime të pushuara, 3 të dërguar për gjykim dhe 5 të tjerë ende nën hetim), në Elbasan u përfshinë 9 pedagogë (1 në gjykim, 1 me vendim mosfillimi dhe 7 nën hetim, çështje e kaluar tek SPAK). Në vitin 2025 SPAK përfundoi hetimet ndaj 27 zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës (pjesë e stafit akademik dhe administrativ).
2. Rreth 9 nga 10 studentë (89.98%), pranojnë ekzistencën e korrupsionit në tetë universitetet publike e mara ne analize.
Nivele të larta të perceptimit 96% janë raportuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës , Universitetin e Mjekësisë dhe Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë ndërsa nivelet më të ulëta, ndonëse përsëri shqetësuese, janë raportuar në Universitetin “Aleksander Xhuvani” në Elbasan (77.5%).
3. 44.29% e studentëve raportojnë se kanë mësuar për rastet korruptive në universitet përmes kanaleve informale, si miq, familjarë dhe të njohur.
Përvoja personale është më e përhapur në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë (26.25%) dhe Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (25%), ndërsa Universiteti Bujqësor i Tiranës shënon nivelin më të ulët (8.75%). Informimi përmes miqve dhe të njohurve është më i përhapur në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli” (56.25%) dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës (51.25%), ndërsa përdorimi i mediave varion nga 20.49% në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit deri në 38.75% në Universitetin Bujqësor.
4. 46.62% e studentëve perceptojnë se pagesa në këmbim të notës është një nga format më të përhapura të korrupsionit në universitete, pas saj ato vlerësojnë detyrimin për blerje librash (22.54%).
Pagesa për nota është perceptuar si më e përhapur në Universitetin Bujqësor të Tiranës (59.62%) dhe Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës (56.15%), ndërsa më e ulët në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (35.33%). Detyrimi për blerje librash dominohet nga Universiteti i Shkodrës (32.34%).
Vetëm 14.3% e studentëve raportojnë se janë përballur me presione të drejtpërdrejta për t’u përfshirë në akte korruptive, ndërkohë që 75% deklarojnë se nuk kanë përjetuar situata të tilla drejtpërdrejtë. Një përqindje e konsiderueshme prej 10.76% ka zgjedhur të mos japë përgjigje. Universiteti i Shkodrës regjistron përqindjen më të lartë të studentëve që pranojnë presion (25%), ndjekur nga Universiteti i Mjekësisë i Tiranës (18.75%), Universiteti i Durrësit (15.57%) dhe Universiteti i Tiranës (15.08%).
6. Rreth 1 në 10 studentë (9.61%) pranojnë se kanë ofruar ryshfet për të marrë një notë më të mirë dhe 6.9% zgjedhin të mos përgjigjen, një tregues i qartë se fenomeni është real dhe i pranishëm, ndërsa 83.5% e mohojnë Nga të dhënat krahasuese, Universiteti i Durrësit shfaq përqindjen më të lartë të studentëve që pranojnë ofrimin e ryshfetit (18.03%). Përqindjet më të ulëta regjistrohen në Universitetin e Shkodrës, ku vetëm 3.75% e studentëve pranojnë ofrimin e ryshfetit. Ndërsa, përqindja e mospërgjigjeve është më e theksuar në Universitetin e Durrësit 15.57%.
7. 43.87% e studentëve deklarojnë se rastet e korrupsionit nuk janë raportuar, ndërsa prej 27.47% shprehin frikë për të denoncuar.
Ndërkaq 20.86% e studentëve pohojnë se rastet janë raportuar dhe 35.27% zgjedhin të mos përgjigjen. Nga ana tjetër 56.42% e studentëve thonë se nuk kanë frikë të raportojnë, ndërsa 16.11% preferojnë heshtjen.
8. Këshillat e Etikës në 4 vite (2021–25) kanë trajtuar vetëm 16 çështje në 8 universitete publike, ndërkohë 54.17% e studentëve shprehen se kanë “pak” ose “aspak” besim se në universitete trajtohen drejtë rastet korruptive. Universiteti i Tiranës renditet i pari me 8 çështje të shqyrtuara (6 për sjelljen e stafit akademik dhe 2 për çështje integriteti), pa asnjë rast plagjiature të raportuar. Ndërkohë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Shkodrës dhe Universiteti i Korçës nuk kanë raportuar asnjë rast, edhe pse pranë prokurorive përkatëse ekzistojnë hetime për korrupsion ndaj stafit akademik.
9. 69.84% e studentëve të Univeristetit të Tiranës perceptojnë plagjiaturën si një fenomen të përhapur tek pedagogët, duke shënuar nivelet më të larta të perceptimit krahasuar me univeristetet e tjera. 54.48% të studentëve në 8 universitete besojnë se fenomeni i plagjiaturës është disi ose shumë i pranishëm, ndërsa 43.05% e studentëve e vlerësojnë si të dobët ose shumë të dobët punën e universiteteve në ndëshkimin e rasteve të plagjiaturës.
10. 73.4% e Stundeteve besojnë se brenda fakulteteve ka pedagogë që nuk e zotërojnë lëndën që japin. Kategoria “Disa pedagogë nuk e zotërojnë lëndën” është më dominuese në Universitetin e Mjekësisë (66.25%), ndërkohë, në kategorinë më shqetësuese, “Shumë pedagogë nuk e zotërojnë lëndën”, përqindjet më të larta janë regjistruar në Universitetin e Shkodrës (18.75%).
11. Qëndresa Qytetare identifikon 8 raste të gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar nga sistemi i drejtësisë prej procesit të Vetingut apo shmangies së tij, janë rikthyer në jetën akademike si pedagogë në universitete publike dhe private.
Në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”, rezulton e angazhuar një ish-gjyqtare e shkarkuar për probleme në deklarimin e pasurisë së saj. Universiteti i Tiranës ka në staf një ish-gjyqtar të shkarkuar për të njëjtin motiv dhe një ish-kryetare gjykate që dha dorëheqjen pas hapjes së hetimit administrativ për deklarimin e pasurisë dhe çështjeve të figurës së saj. Në Universitetin e Durrësit është regjistruar një rast i ngjashëm i një ish-gjyqtareje e cila rezulton të ketë dhënë dorëheqjen nga pozicioni si gjyqtare.
Universiteti Luarasi ka në staf dy ish-magjistratë të larguar nga sistemi, një të shkarkuar për arsye të deklarimit të pasurisë dhe një që dha dorëheqjen nga Gjykata e Lartë. Në Universitetin Barleti ligjëron një ish-drejtues i Prokurorisë së Tiranës i shkarkuar me vendim të formës së prerë. Në Shkollën e Magjistraturës, japin mësim një ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe një ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë, të cilët rezultojnë se kanë dhënë dorëheqjen gjatë Vetingut.
12. Vetingu akademik shihet nga 43.87% e studentëve si një zgjidhje efektive kundër korrupsionit dhe abuzimeve në universitete.
Ndërkohë, 19.48% e studentëve mbajnë një qëndrim kundër vetingut. Nga ana tjetër, një përqindje shumë e lartë e studentëve, 36.64%, kanë zgjedhur të mos shprehen. /Pamfleti


