Urdhri/Ndryshojnë procedurat për emërimin dhe pezullimin nga puna të psikologëve në gjimnaze

0
186

Ndryshojnë procedurat për emërimin dhe pezullimin nga puna të psikologëve në shkollat e sistemit parauniversitar.

Urdhri i ministrisë të arsimit i ndryshuar, parashikon se për rastet e pezullimit nga puna të psikolëgëve për të cilët është vendour masë e sigurimit personal nga gjykata, do të jetë kreu i Drejtorisë Rajonale e Arsimit Parauniversitar (DRAP) që do të marrë vendimin e pezullimit nga puna, pas propozimit që duhet bërë nga drejtori i gjimnazit.

Urdhri i mëparshëm i botuar më 20 tetor 2020, parashikonte që për këto raste, vendimi për pezullimin nga puna merrej nga drejtori i shkollës, për psikologët me masë sigurie, deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Edhe për rastet ku ka nisur procedura disiplinore dhe vlerësohet se qëndrimi i psikologut në punë përbën rrezik, pasi mund të zhdukë, të vështirësojë, të manipulojë ose të bëjë të pamundur marrjen e provave që lidhen me procedurën disiplinore, vendimi për pezullimin nga puna do të merret nga drejtuesi i DRAP.

Urdhri i rishikuar nga ministrja e arsimit, Evis Hushi i botuar në Fletoren Zyrtare, parashikon të tjera ndryshime për psikologët që janë të punësuar në më shumë se 1 shkollë në sistemin arsimor parauniversitar. Për ta do të jetë DRAP-i që do të nxjerrë aktin e emërimit dhe nënshkruan kontratën e punës, sipas institucioneve arsimore parauniversitare të përcaktuara nga ZVAP-ja për vendin e punës, në varësi të numrit të nxënësve.

“Pas përzgjedhjes së vendit të punës nga kandidati, DRAP-i përkatës nxjerr aktin e emërimit të kandidatit në institucionin arsimor parauniversitar të përzgjedhur prej tij dhe nënshkruan kontratën e punës me të”, përcaktohet në urdhrin e ndryshuar ministres të Arsimit.

Urdhri

Ishte

Dokumenti i përzgjedhjes të vendit të punës nga kandidati, hartohet nga DRAP në tri kopje në të cilat, një i dërgohet institucionit arsimor publik ku do të punësohet kandidati, një kopje i jepet kanditatit në momentin e përzgjedhjes të vendit të punës, dhe një kopje ruhet në DRAP.

Bëhet

Në rastet kur vendi i punës është formuar nga më shumë se 1 (një) institucion arsimor parauniversitar, DRAP-i përkatës nxjerr aktin e emërimit dhe nënshkruan kontratën e punës, sipas institucioneve arsimore parauniversitare të përcaktuara nga ZVAP-ja për vendin e punës, në varësi të numrit të nxënësve. Punonjësi i Shërbimit Psikosocial evidentohet në listëprezencën e institucionit arsimor parauniversitar publik me numrin më të madh të nxënësve.

Ishte

Drejtuesi i institucionit arsimor parauniversitar publik merr masën e pezullimit ndaj psikologut/ punonjësit social, në rastet kur: a) gjykata vendos ndaj tij, masë të sigurimit personal deri në vendimin e formës së prerë; b) ka nisur procedura disiplinore dhe vlerësohet se qëndrimi i tij në punë përbën rrezik të zhdukë, të vështirësojë, të manipulojë ose të bëjë të pamundur marrjen e provave që lidhen me procedurën disiplinore.

Bëhet

Me propozim të drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar publik, drejtori i DRAP-it merr masën e pezullimit ndaj psikologut/ punonjësit social, në rastet kur: a) gjykata vendos ndaj tij, masë të sigurimit personal deri në vendimin e formës së prerë; b) ka nisur procedura disiplinore dhe vlerësohet se qëndrimi i tij në punë përbën rrezik të zhdukë, të vështirësojë, të manipulojë ose të bëjë të pamundur marrjen e provave që lidhen me procedurën disiplinore.

Monitor