Vajza dashuron një arixhi”/ Si u përndoq dhe vdiq pa i bërë 40 vjeç e bija e kolonelit pasi u dashurua me një rom. I biri rrëfen historinë dhe vuajtjet e familjes në komunizëm

0
201

Djali i vogël i Nazmi Bastriut dhe Lirie Kondit tregon për herë të parë gjithë përjetimet e fëmijës që kujtimet e vetme të fëmijërisë i lidh me orarin e drekës, kur duhet të lypte ndonjë kafshatë buke.

Si u martua e ëma, e bija ekonomiste e kolonel Elmaz Kondit, me të atin e tij nga komuniteti rom. Ç’u bë me ta pas martesës së padëshiruar nga familja e bardhë dhe presione të vazhdueshme të Sigurimit, që çuan deri në vdekjen e së ëmës dhe burgosjen e të atit. Persekutimi nga ish-zv. ministri i Brendshëm Xhulio Çiraku, i afërm i Hysni Kapos.Ç’ka ndodhur shoku kolonel?
-Shoku m*t, më thuaj.
-Po ti fol mor burrë, ç’i ka ndodhur vajzës?
-Dashuron një… arixhi.
-Arixhi? Klithi studenti i Shkollës së Partisë.
-Po, po, arixhi safi! Bato Kazanxhiu e quajnë. Jeton në Bregun e Lumit. Në barake me llamarina. Mes evgjitërve barkëjashtë e këmbëzbathur.
-Si kështu? Blerta është vajzë e urtë, e sjellshme. Vërtet e heshtur, po, deri këtu… Dashuri me arixhiun! Ç’do të thotë bota xhanëm? Po ju çfarë keni bërë o kolonel?
-Unë Telo Mezani, kolonel i Ministrisë së Brendshme me nipër e mbesa arixhinj… Për ideal të Partisë, e tmerrshme! E kobshme! Më e zezë se vdekja.

Që ta gjesh në një roman artistik këtë dialog, asgjë të çuditshme nuk ka. Por, kur që në krye të faqeve të romanit shkruhet dukshëm që të gjitha ngjarjet janë të bazuara në ngjarje të vërteta, atëherë historia ndërlikohet. Emrat e personazheve të sipërpërmendur nuk janë ata realët, ama duhet të jenë diku nëse ngjarja është e vërtetë. Këtë dilemë që ngjalli romani “Nata e syrit të gjelbër” me autor Mina Qiricin, na e zgjidhi vetë autori.

Drita e qetësisë nuk u pasqyrua asnjëherë në sytë e mëdhenj ngjyrë gjelbër të dy protagonistëve të ngjarjes. Ky nuk është vetëm fakt i marrë nga ngjyrat artistike të romanit, kërkimi rreth ngjarjes shkoi shumë afër së vërtetës. Të paktën te emrat dhe ngjarjet, po. Aq sa i lejonte kujtesa një djaloshi gjysmë rom e gjysmë të bardhë, që i rënduar nga kujtimet e vrazhda të fëmijërisë emigroi qysh në vitet e para, kur mundën të gjithë, për të mos iu kthyer më gjatë për të jetuar. Mjaftueshëm, sa për të takuar të atin e shenjosur në trup e shpirt nga e shkuara, deri dy vjet më parë, kur u largua njëherë e përgjithmonë.

 

Alfred Bastriu është i biri i protagonistit të ngjarjes së romanit. Pjellë e dashurisë së luftuar në çdo kohë. Portreti i tij është i vrazhdë, i egër. Sado që gjatë bisedës përpiqet edhe të buzëqeshë, me gjithë dhembjen që i shkakton historia që duhet të tregojë, sytë e tij (të shkruar, me nuanca të lehta të jeshiles të së ëmës) nuk e shmangin dot njëfarë “urrejtje ndaj botës

I ati nuk ua pati ushqyer kurrë këtë ndjenjë urrejtjeje, edhe pse ishin përherë të përçmuar e keqtrajtuar, megjithatë ai nuk e shmang dot. Kur ishte 5 vjeç e shkonte lypte koraçka (kore buke) te komshinjtë, i ndërgjegjshëm që ishte duke shkuar ai, sepse vëllezërit e mëdhenj turpëroheshin nga kjo gjë, në shikimin e tij akumuloheshin të gjitha; urrejtja instiktive ndaj gjithçkaje dhe asgjëje, turpi, pafuqia. Kështu u rritën sytë e tij. Edhe sot, që kanë fituar të gjitha tiparet e burrërisë, nuk e kanë të lehtë buzëqeshjen. E kush do të mundej!? Me ato përpëlitje që të shkaktonte shfletimi i albumit të tij familjar të fotografive, ndërsa edhe ai vetë i shihte pas kaq vitesh e bënte bashkë copëza historish, edhe aq, shikimi ishte i mirë. Cila është e shkuara e këtij djaloshi të sapokthyer nga përbuzja e emigrimit për të ndërtuar një shtëpi të re, po aty ku i ati për 62 vite pati të vjetrën. Në po ato rrugica të “Alliasit” (lagje e komunitetit rom), ku u rrit e ku kërkoi bukë. Ç’ishte kjo gjëmë e madhe që prindërit i kishin bërë të tjerëve aq sa për të ardhur policia në shtëpi e të kërkonte me dhunë t’i çonte drejt jetimores. Qysh atëherë, fëmijët i jepnin këtyre pyetjeve përgjigje të pjesshme. Edhe pak vite akoma dhe gjithçka do të ishte e qartë.