Vajza shqiptare shkon me të dashurin dhe motrën në Mikonos, por “skifterët” iu vjedhin bizhuteri me vlerë 45 mijë euro

0
91

Bandat e hajdutëve vazhdojnë aktivitetin e tyre në ishullin e mirënjohur grek të Mikonos, pavarësisht shtimit të numrit të forcave të policisë nga ana e qeverisë greke pas fluksit të krimeve në sezonin veror.

“Skifterët” vazhdojnë të grabisin objektiva të caktuar qartë dhe sipas mediave greke ata janë të informuar nga shoferë ose anëtarë të tjerë të stafeve të vilave në ishull për turistët që janë të “ngarkuar” me bizhuteri, ar dhe para.

Viktimat e tyre këtë herë ishin tre turistë shqiptarë që kishin ardhur në Mikonos për pushime disaditore.

Ata kishin rezervuar një suitë në një hotel luksoz në zonën e Plindrit kur në orët e para të së dielës së kaluar, më 24 korrik, persona të panjohur hynë në dhomën e tyre nga dera e ballkonit duke përdorur shkallë.

Turistes së parë shqiptare , siç ka denoncuar në polici, i kanë marrë bizhuteri floriri me vlerë totale 17100 euro, pasaportën dhe lejen e drejtimit të mjetit.

Të motrës i janë marrë sende dhe bizhuteri me vlerë 18400 euro, si dhe pasaporta . Ata i kanë rrëmbyer të dashurit sende dhe bizhuteri me vlerë 10 mijë euro si dhe pasaportën.

Siç raportojnë mediat helene, pasaportat e marra nga hajdutët nga turistët përfundojnë në tregun e zi, të blera nga rrjetet e kontrabandës së emigrantëve dhe u rishiten emigrantëve.