Nga KLODIANA LALA
Vajza ekranesh, miss-e, bukuroshe që nuk i kanë kaluar të 20-at, vajza që pëlqejnë jetën luksoze, makinat e bukura, botox-in, paratë, rrobat firmato… e vijnë nga familje totalisht të varfra. Bosët shqiptarë të krimit kanë zgjedhur ndër vajzat e bukura shqiptare në pamje, për të kaluar orët, për të zbrazur streset pasi kanë zbrazur më parë koburet e kallashët.
Ato të varfrat, sikurse në çdo rast e pas çdo dëshmie në polici, kurrë nuk e kanë ditur për jetën e dyfishtë të djemve të fortë me të cilët bashkëjetonin. Madje në çdo rast, i kanë ditur djem beqarë, edhe pse të gjithë kanë qenë të martuar e më fëmijë, e shumica prej tyre i kishin siguruar familjet jashtë vendit. Por në Shqipëri, donin komoditetet që u krijojnë në tavolinë vajzat.
Herë për t’u prezantuar në ambiente, herë të tjera për t’i shfrytëzuar, shpeshherë edhe për një “koperturë” e kamuflim për t’u integruar në shoqëri sikurse kishin aktivitet normal biznesi, dhe jo sikur të ishin bosët e krimit e drejtues të grupeve kriminale. Pak e ekzagjeruar të besosh se këto vajza nuk kanë kuptuar fare se kush kanë qenë bashkëjetuesit apo bashkëshoqëruesit e tyre. Më shumë sesa moskuptim, edhe këto vajza, kanë shfrytëzuar rastin për të qenë në qendër të vëmendjes, të prirura deri në adhurim për djemtë e fortë me muskuj e me pistoleta në brez.
Historitë e sotme me bosët e krimit, dhe dëshmitë e këtyre vajzave në polici, tregojnë se gjithçka mes tyre dhe vajzave ka qenë konsensuale. Madje me dëshirën e këtyre të fundit. Asnjë nga vajzat nuk ka qenë e dhunuar, apo e detyruar që të bashkëjetojë e të shoqërohet me bosët e krimit. Ato e kanë zgjedhur vetë të bëjnë jetën që kanë pas dëshiruar, pa e menduar se ndonjëherë, do të ishin po ato, subjekt dhe objekt përgjimesh nga policia, apo do të përdoreshin edhe si karrem siç ka ndodhur në ndonjë rast, edhe për ekzekutime të bujshme.
Duhet thënë se të gjitha vajzat e këtyre bosëve të krimit, i kanë parë dyert e policisë dhe kanë dhënë aty dëshmitë e tyre. Herë të vërteta, e herë të rreme, por që asnjëra prej tyre nuk është përfshirë me ndonjë akuzë nga uniformat blu. Të gjitha gëzojnë lirinë sot, në përpjekje për të rifilluar jetën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Edhe pse, një gjë e tillë është e pamundur. Në gjithë këtë dëshmi në këtë numër reviste, çdo vajzë është e evidentuar, por ne nuk do të publikojmë identitetin e tyre për të ruajtur “privacinë”, pavarësisht se në polici, dëshmitë e tyre janë të plota.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në Revistën Newsbomb, të cilën prej 20 tetorit e e gjeni në çdo pikë shitje në gjithë vendin…