Vala e nxehtë përshkon Europën, temperaturat mbi 40 gradë Celsius në Spanjë, Itali, Gjermani

0
310

Masa ekstreme të nxehti me origjinë nga Afrika kanë lëvizur këto ditë në Mesdhe e në shumicën e kryeqyteteve të Europës Perëndimore. Nga nesër në disa prej tyre janë parashikuar të rikthehen reshjet.

I gjithë kontinenti europian po përshkohet nga një valë ekstreme të nxehti me temperatura që kalojnë 40 gradë, në mesin e rrezikut nga një valë e dytë potenciale e koronavirusit.

Në Romë, autoritetet një ditë më parë udhëzuan fëmijët dhe të moshuarit të evitojnë daljet në orët e mesditës pasi termometri shënoi vlerën më të lartë të vitit.

Shumë qytetarë dhe turistë zgjodhën të freskohen në shatërvanët historikë të shpërndarë nëpër kryeqytetin antik.

“Roma është e bukur por në orët e nxehta është e pamundur të lëvizësh përqark, ndaj humbet kohën në qytet.”

“Mbase ngaqë jam e dobët nuk e ndjej aq, por nxehtë është, dhe sa herë kur ulemi zgjedhim vende me ajër të kondicionuar, me ajër të freskët.”

Në Francë, të premten, me temperaturat mbi 42 gradë Celsius, parisianët treguan se në rrethanat e pandemisë së kovidit të ri, maskat janë bërë një pengesë më tepër kur ato janë bërë të detyrueshme të mbahen në publik me vendim qeverie për të shmangur infeksionet.

“Njerëzit me zor i mbajnë maskat kur moti është i keq, ndërsa në një valë të nxehti si kjo, janë vërtet të padurueshme.”

“Është e vështirë të marrësh frymë me maskë. I nxehti të merr frymën, tani janë edhe maskat.”

Akulloret dhe pijet freskuese këtë fundjavë janë bërë ndër produktet më të kërkuara edhe për turistët e banorët e Gjermanisë, ku temperaturat e larta shtuan radhët në plazhet e Hamburgut dhe pabet e Mynihut e Berlinit, përpara reshjeve që janë parashikuar të bien ditën e diel.

I nxehti në Britaninë e Madhe nxori të premten qytetarët në parqe me gjithë kufizimet prej koronavirusit, ndërsa në Spanjë, preferenca e banorëve ishin brigjet në hije të liqeneve dhe lumenjve, për më shumë freski në mesin e një vape mbytëse që mbuloi gjithë vendin.

Ora news