Valë sulmesh në Kolumbi, bomba dhe të shtëna me armë! Shtatë të vdekur, mbi 50 të plagosur

0
2

Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në një seri sulmesh të koordinuara në jugperëndim të Kolumbisë, raportojnë mediat lokale.

Sulmet, që përfshinë makina-bomba, motoçikleta të pajisura me eksplozivë, të shtëna me armë zjarri dhe përdorimin e një droni të dyshuar, kanë goditur qytetin Cali – qyteti i tretë më i madh në vend – si dhe disa qytete përreth në rajonet Cauca dhe Valle del Cauca.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Kolumbisë, janë regjistruar gjithsej 19 sulme: 12 në rajonin Cauca dhe shtatë në Valle del Cauca. Dy oficerë policie janë midis viktimave, ndërkohë që numri i të plagosurve varion nga 28 në mbi 50 persona, sipas burimeve nga Reuters dhe AFP.

Disa media lokale raportojnë se sulmet mund të jenë kryer nga një fraksion i Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), megjithatë kjo lidhje nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Ministria e Mbrojtjes përshkroi dhunën si “një reagim të dëshpëruar nga grupet e armatosura ilegale ndaj operacioneve të gjera ushtarake dhe policore që kanë goditur strukturat dhe ekonomitë e tyre të paligjshme”.

Kryebashkiaku i Calit tha se situata e sigurisë në qytet i kujton vitet e errëta të 1989-ës, kur qyteti ishte i zhytur në dhunë për shkak të karteleve të drogës.