Vdekja e dy të moshuarve në Gjirokastër, vijojnë hetimet

0
76

Policia e Gjirokastrës po heton vdekjen e dy të moshuarve Kleoniqi Ilia, 88 vjeç dhe Kosta Ilia, 84 vjeç të cilët u gjetën të pajetë të enjten në banesën e tyre në fshatin Bodrishtë të Dropullit, me shenja dhune.

Policia tha se dyshohet se shenjat e dhunës janë shkaktuar në trupin e dy viktimave nga mjete të forta rrethanore.

Burime nga grupi hetimor pohuan se po hetohet si njëra nga pistat e krimit konflikti mes dy të moshuarve, që mund të ketë çuar në humbjen e jetës së tyre, ndërsa një pistë tjetër është edhe vrasja nga persona të tjerë.

Policia e Gjirokastrës shoqëroi gjatë ditës tre banorë të fshatit Bodrishtë dhe një bari në këtë zonë, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për krimin.

Policia tha se nga hetimet paraprake në vendin e ngjarjes, nuk janë gjetur thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk ka pasur lëvizje të orendive.

Ngjarja u zbulua nga fqinjët e dy të moshuarve të cilët morën një telefonatë nga Greqia të motrës së Kleoniqit, e cila tha se nuk kishte mundur të komunikonte prej mbrëmjes së një dite më parë.

Sipas dëshmive të fqinjëve mëngjesin e së enjtes ata i kanë gjetur dy të moshuarit të pajetë, Kostën, në pragun e shtëpisë me plagë në kokë, ndërsa në dhomën e gjumit është gjetur Kleoniqi, me shenja dhune në trup.

Sipas banorëve të moshuarit nuk kishin fëmijë dhe jetonin prej vitesh në Bodrishtë, rreth 30 km larg nga Gjirokastra, afër kufirit me Greqinë.

Shumë zona në Jug të Shqipërisë banohen vetëm nga të moshuar, pasi fëmijët e tyre kanë emigruar jashtë vendit dhe krimi i rëndë ka ngjallur reagime të forta në opinion./VOA