Vdekja e turistit zvicerian dhe plagosja e tre të tjerëve ne shtegun alpin Valbonë-Theh ka vënë në pikëpyetje sigurinë e turizmit malor në vendin tonë.
Në lidhje me rastin ka folur për Abc Live presidenti i Federatës Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor, Artur Guni.
Teksa thotë se federata shqiptare po diskuton me Ministrinë e Turizmit për licencimin e guidave, ai pohon se Shqipëria nuk ka ekip kërkim-shpëtimi.
“Në udhërrëfyesit apo guidat ndahen në disa kategori, janë ata që shkojnë deri në 2 mijë metra dhe ata që shkojnë në më shumë se 2 mijë metra. Jemi ne diskutim me Ministrinë e Turizmi për licencimin e guidave. Duhet të ketë një diferencim midis guidave”, tha Guni në Abc Live.
Presidenti i Federatës tha se mungesa e fondeve dhe legjislacioni janë arsyet se pse vetëm një pjesë e vogël e guidave në Shqipëri janë trajnuar.
“Një pjesë e vogël kanë bërë trajnime. Federata jonë nuk i ka bërë këto trajnime, për shkak të mungesës së fondeve dhe legjislacionit”, tha Guni.
Ndër të tjera Guni tha se sezoni aktual turistik është i rrezikshëm për shkak të rrëshqitjes së ortekëve./abcnews.al./