Vdekjet misterioze të oligarkëve rusë

0
114

Dy oligarkë rusë janë gjetur të vdekur bashkë me familjet e tyre nga policia ruse dhe spanjolle. Vladislav Avayev, ish-zëvendës presidenti i Gazprombank, u gjet  i vrarë në Moskë me armë zjarri bashkë me familjen.Ndërsa Sergei Protosenya u gjet i varur dhe familja e masakruar në Spanjë. Autoritetet thonë se nga hetimet paraprake dyshohet krim brenda familjes.

Policia është duke hetuar vdekjen e dy oligarkëve rusë, të cilët u gjetën të vdekur së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre vetëm një ditë larg njëri-tjetrit, në dy shtete të ndryshme, në Rusi dhe në Spanjë. Ata u gjetën të vrarë në shtëpitë e tyre luksoze.

Vladislav Avayev, ish-zëvendës presidenti i Gazprombank, u gjet i vdekur nga një plagë me armë zjarri në banesën e tij në Moskë. Sipas autoriteteve ai ka qëlluar me armë gruan dhe vajzën e tij, dhe më pas ka vrarë edhe veten.

Hetimet e autoriteteve ruse njoftuan se Avayev, 51 vjeç, gruaja e tij Yelena, 47 vjeç dhe vajza e tyre 13-vjeçare Maria u gjetën të tre me plagë me armë zjarri në shtëpinë e tyre luksoze në kryeqytetin rus, në Moskë.

Ata u zbuluan nga vajza 26-vjeçare e Avajevit, Anastasia, ndërsa ka dëshmuar para policisë se kur ka hyrë në shtëpi ka gjetur të atin të ndarë nga jeta me një armë në dorë. Dera e shtëpisë së tyre ka qenë e mbyllur nga brenda, ndërsa zyrtarët dyshojnë për vrasje dhe më pas vetëvrasje.

Një rast tjetër i ngjashëm, ndodhi vetëm një ditë më pas në Spanjë. Një tjetër oligark, Sergei Protosenya, u gjet i varur në vilën e tij luksoze në Spanjë, teksa hetuesit thonë se gruaja dhe vajza e tij kanë humbur jetën si pasojë e goditjeve me thikë.

Protosenya ishte ish-zëvendës presidenti dhe llogaritari kryesor i Novatek, një kompani e madhe gazi me lidhje të ngushta me Gazprombank. Ai dhe gruaja dhe vajza e tij po qëndronin në një vilë luksoze që e kishin marrë me qira në një qytet bregdetar katalanas, për periudhën e Pashkëve.

Sipas raportimeve të autoriteteve spanjolle, babai ka vrarë gruan dhe vajzën, e më pas ka varur veten pas këtij krimi të rëndë. Policia u lajmërua për vdekjen kur djali i oligarkut, i cili ndodhej në Francë, ngriti alarmin pasi askush nuk e ngrinte telefonin për t’ju përgjigjur.

Asnjë prej tyre nuk ishte në listën e sanksioneve ndërkombëtare në konfliktin Ukrainë-Rusi.