Anëtari i fundit i mbetur i një fisi indigjen brazilian ka vdekur, tha të shtunën agjencia e mbrojtjes indigjene të Brazilit, Funai.
I njohur si “Njeriu i vrimës”, ai kishte jetuar në izolim të plotë për 26 vitet e fundit në tokën indigjene Tanaru, thellë në Amazonën braziliane në shtetin Rondonia, sipas organizatës jofitimprurëse Survival International.
Atij iu dha pseudonimi për zakonin e tij për të ndërtuar vrima të thella për të kapur kafshët dhe për t’u fshehur.
Ai i kishte rezistuar të gjitha përpjekjeve për t’u kontaktuar, megjithëse autoritetet vazhduan ta monitoronin nga larg, duke lënë herë pas here furnizime për të.
Survival International tha se pjesa tjetër e fisit të tij vdiqën nga disa sulme që nga vitet 1970, kryesisht nga fermerët e bagëtive dhe grabitësit e tokës.
“Asnjë i huaj nuk e dinte emrin e këtij njeriu, apo edhe informacione për fisin e tij. Me vdekjen e tij gjenocidi i popullit të tij është i plotë,” tha Fiona Watson, drejtoresha e kërkimit dhe avokimit të grupit.
“Sepse ky ishte me të vërtetë një gjenocid, fshirja e qëllimshme e një populli të tërë nga blegtorët e uritur për tokë dhe pasuri.”
Trupi i burrit u gjet i shtrirë në një kasolle nga zyrtarët e Funai më 23 gusht. Nuk kishte shenja dhune apo pranie të njerëzve të tjerë në zonë.
Ai vdiq për shkaqe natyrale dhe trupi i tij do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore nga Policia Federale, sipas Funai.