Legjenda argjentinase e futbollit dhe fituesi i Kupës së Botës 1986, Diego Maradona, ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në Tigre pasi pësoi një sulm në zemër, sipas raporteve në Argjentinë.
Bota e futbollit vajton për vdekjen e futbollistit më të madh të të gjitha kohërave, “Zotit të topit”, Diego Armando Maradona
Ai ndërroi jetë në moshën 60 vjeçare pas një arresti kardiak. Lajmi tronditës u raportua nga media argjentinase Clarin dhe Ole, duke theksuar se Maradona vdiq në shtëpinë e tij në Tigre, Buenos Aires, ku ishte duke u rikuperuar nga operacioni serioz që kreu disa ditë më parë.
Mjekët që arritën në shtëpinë e tij pavarësisht përpjekjeve të tyre nuk mundën ta rikthejnë në jetë.
Kujtohet se në fillim të nëntorit, legjenda argjentinase e futbollit kishte ndërhyrë në tru dhe tetë ditë pas operacionit, ai u lirua nga klinika dhe vijoi trajtimin në shtëpi.
Maradona, i konsideruar si një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, ndihmoi Argjentinën të fitonte Kupën e Botës në 1986, kulmin e një karriere të shkëlqyer.


