
Emilio Ballack, djali 18-vjeçar i ish-mesfushorit të Gjermanisë dhe Bayern Munich Michael Ballack, ka vdekur në një aksident me motoçikletë me katër rrota në Portugali.
Emilio u përfshi në aksident në orët e hershme të mëngjesit të enjten pranë shtëpisë së Ballackut në Villasdo Mar, raporton Gazeta Express.
Zjarrfikësit ishin përpjekur ta shpëtonin djalin e Ballackut, por pa sukses.
Sipas televizionit portugez TVI24, tragjedia ndodhi afër Troia, në jug të kryeqytetit portugez Lisbonë, pranë shtëpisë së pushimeve të Ballackut.

Emilio është njëri prej tre fëmijëve të legjendës gjermane Ballack, i cili u martua me Simone Lambe në vitin 2008, para se të shkurorëzoheshin katër vjet më vonë.
Ai u lind në vitin 2002, një vit pas vëllait të madh, Louis, dhe ishte tri vjet më i vjetër sesa djali më i ri i Ballackut, Jordi. /Gazeta Express/
