Veç ngritjes së 3 akuzave SPAK hetim pasuror për ish- ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Skaner pronave

0
133

Veç hetimeve për korrupsion, “Pabarazi në tendera” dhe “Shpërdorim detyre”, prokuroria e Posaçme SPAK, ka nisur një hetim paralel, me qëllim gjurmimin e pasurisë së ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Një orientim të tillë për të shtrirë hetimin tek pasuria e Beqaj, SPAK-ut ja kishte dhënë prej muajin Gusht 2023 dhe gjyqtari i posaçëm, Erion Bani.

Ndërkohë, ish-ministri pritet të paraqitet mesditën e nesërme në SPAK për tu marrë në pyetje dhe njohur zyrtarisht me dy masat e sigurisë që SPAK ka vendosur ndaj tij.

Hetimi pasuror ndaj Beqajt ka nisur për të kuptuar ndërhyrjet e tij në garë dhe favorizuar kompaninë “Sani Service”, e cila ka fituar tenderin me vlerë 100 mln euro dhe pronar Ilir Rrapaj.

Deri në këtë fazë të hetimeve, një pjesë e pasurisë së Ilir Beqaj është zbardhur përmes burimeve të hapura të informacionit. Ndërsa SPAK, i nevojitet kohë për të hedhur dritë mbi pasuritë e mundshme të fshehura në emra të tjerë.

Përmes dokumenteve zyrtare SPAK, ka provuar se Beqaj dhe familjarët e tij gëzojnë disa pasuri në Tiranë dhe jo vetëm, pasi ka indicie të forta përmes dëshmitarëve se Beqaj, ka apartament dhe në zonën e “Lungomares” në Vlorë.

Sipas shkresave të siguruara, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe gruaja e tij, Adriana Beqaj, në datën 19 dhjetor 2016 janë bërë pronarë të një apartamenti me sipërfaqe 198.92 metra katror në Tiranë.

Pasuria ndodhet në kryeqytet në rrugën “4 shkurti“ dhe është blerë kundrejt një shumë prej 142 mijë euro.

Gjithashtu në të njëjtën datë 19 dhjetor 2016, Ilir Beqja dhe gruaja e tij, në të njëjtin pallat ku blenë apartamentin, rezultojnë të kenë blerë dhe një garazh me sipërfaqe prej 20 metra katror.

Po kështu në emër të Ilir Beqaj, rezulton i rregjistruar një apartament që ndodhet në rrugën “Pjetër Bogdani” me sipërfaqe 96 metra katrorë.

Por këtij apartamenti në 13 shtator 2010 i është vendosur në kartelën e pasurisë, shënimi i rregjistrimit në favor të “Alpha Bank”. Pasuria dhe përfitimet e Beqaj karakterizohen mes ofiqeve të tij në administratën publike dhe biznesit të kompanisë “INTECH+”,e cila ka përfituar një pjesë të mirë të tortës në tenderat publikë.

Edhe pse me fitim të konsiderueshëm, Ilir Beqaj, deklaron se në Gusht 2013 ka shitur 51 për qind të kompanisë INTECH+ tek shoku i tij, Sokol Sinani, me vlerën financiare prej 183 milion lekë të vjetra.

Të ardhura financiare dhe pasuri, Beqaj disponon biznese të tjera si një aktivitet tregtar konsulence në emër të gruas, Adriana Beqaj, dhe firmave të tjera si “Albania Ionian Coast Olive Oil”, “Proinvest Al” të menaxhuara nga bashkëshortja, Adriana Beqaj.

Kompania “Albania Ionian Coast Olive Oil” është hapur në Sarandë në vitin 2019 mes Renata Sinanit dhe Adriana Beqaj, e cila ka si objekt mbjelljen dhe kultivimin e pemëve të ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit me qëllim eksportimi.