Foto e pasqyruara në këtë artikull tregojnë kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn në seancën e javës së shkuar në GJKKO teksa gjendet pas xhamit prej qelqi. Në fotot e publikuara nga CNA, Veliaj duket teksa qëndron një moment në këmbë dhe në një foto tjetër ai duket i ulur në karrige.

Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit pasi në seancën e fundit gjyqësore, GJKKO la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij, ndërsa ndryshoi masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.