
Turizëm si në mesjetë tek “Kroi i Bardhë” në Mirditë. Ky vend me bukuri natyrore dhe veti kurative vuan mungesën e investimeve. Në kufirin ndarës mes Lurës dhe Mirditës, zona është tepër e përmendur për ujin e rrallë kurativ që ka, por pak e njohur për shkak të rrugës aspak të përshtatshme nga Rrësheni deri atje rreth 55 km të gjatë.
Vizitorët shprehen se kushtet janë tepër të vështira sa i takon infrastrukturës dhe gjithashtu mungesës së energjisë elektrike dhe të valëve të telefonit. Ata shprehen se qeveria nuk ka bërë asnjë lloj investimi për këtë vend të rrallë, ku gjatë verës shkojnë mbi 4 mijë vizitorë.
“Kam ardhur herë pas here. Uji është shumë i mirë me vlera kurative. Natyra është e bukur, vetëm se ka shumë probleme me infrastrukturën. Rrugë nuk ka fare, është e degraduar, ashtu ka qenë gjithmonë. Rrofshin këta shoferët që na sjellin deri këtu. Kjo zonë duhet të zhvillohet, vetëm për këtë ujë dhe ajër të pastër duhet të zhvillohet infrastruktura”-tha njëra prej vizitorëve.
Vizitorë të tjerë:
“Qeveria këtu nuk funksionon fare, vetëm është mbyllur në Tiranë. Këtu vijnë 3 deri në 4 mijë vetë gjithë verës ndërkohë që nuk ka rrugë fare, infrastruktura është copë copë”.
“Ky uji që ndodhet këtu kuron shumë lloje sëmundjesh, si gurët në veshka, mëlçinë e zezë, stomakun e shumë e shumë të tjera. Shteti të vendosë dorë mbi infrastrukturën. Tjetër gjë është edhe mungesa e valëve të celularit për gjatë kohës që je këtu. Jetohet si në mesjetë por njerëzit vijnë për shkak se kanë nevojë”.
