Vendimi me strukturën e re, ja nivelet e pagave për punonjësit e shëndetësisë në spitale

0
210

Zbardhet vendimi me strukturën e re të pagave për të gjithë punonjësit e shëndetësisë dhe atyre të niveleve drejtuese për të gjitha strukturat spitalore në vend. Ditën e djeshme është shpallur në Fletoren Zyrtare të Qeverisë vendimi që përcakton strukturën dhe nivelin e ri të pagave për punonjësit e për punonjësit e administrimit të përgjithshëm nga “specialist” deri në “titullar institucioni” në struktura shëndetësore universitare në spitalet e nivelit terciar, në spitalet rajonale, spitalet psikiatrike dhe spitalet bashkiake të vendit. Gjithahstu janë përcaktuar edhe shpërblimet që do të jepen për punonjësit në spitalin e ri të Fierit.

Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë pagën sipas grupit, shtesën për vjetërsi, shtesën për kualifikim, për kushtet e punës, si dhe shtesën për pozicion pune për të gjithë punonjësit e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitalit të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, Spitalit Universitar të Traumës, spitaleve rajonale, atyre bashkiake, spitaleve psikiatrike, si dhe spitalit rajonal “Memorial” të Fierit.

Përveç pagës, punonjësit turq të personelit të administrimit të përgjithshëm, të personelit mjekësor dhe të personelit teknik të shkencave mjekësore në Spitalin “Memorial” të Fierit do të përfitojnë edhe një shpërblim mujor që varion nga 102 mijë lekë për teknikët biomedikal, e deri në 305 mijë lekë  për mjekët e specialiteteve të ndryshme. Shpërblimet e detajuara për të dhjetë kategoritë e punonjësve të këtij spitali gjenden të detajuara në vijim të shkrimit. “Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2021 për spitalin rajonal “Memorial” në Fier do të përballohen nga fondet e miratuara për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe fillojnë nga data e emërimit të punonjësve në detyrë”, përcaktohet në vendimin e miratuar së fundmi nga Qeveria.

Përgjatë ditës së djeshme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka konfirmuar edhe punësimin e 39 mjekëve të rinj të cilët do të ofrojnë shërbimin e tyre në spitalet rajonale të vendit ku dhe janë evidentuar mungesa në specialitete të ndryshme. Pas procesit të përzgjedhjes së vendeve, me përfundimin e ciklit 4-vjeçar të specializimeve në Mjekësi 39 mjekët e rinj, nga dita e hënë do të nisin punë në spitalet rajonale sipas kontratës me Ministrinë e Shëndetësisë për një periudhë 3-vjeçare.

Mjekët e rinj do të punësohen në Spitalin Memorial Fier, Spitalin Rajonal Durrës, Dibër, Gjirokastër, Shkodër, Vlorë, Kukës, Korçë, Lezhë dhe në spitalet bashkiake Pogradec, Mirditë, Sarandë, për të ofruar shërbimin e tyre pranë specialiteteve në kardiologji, pediatri, obstetri-gjinekologji, kirurgji e përgjithshme, neurologji, neurokirurgji, anestezi-reanimacion, imazheri, mjekësi urgjence, laboratori, etj.

“Për ne e rëndësishme është që ju të jeni sa më afër qytetarëve, ndërkohë që ne jemi të gjithë bashkë në një sistem që i përgjigjet nevojave, që i përgjigjiet kohës dhe që duhet t’i përgjigjiet dhe të ardhmes. Prandaj është shumë e rëndësishme që ashtu sikurse jeni sot, 39 specialistë të rinj të cilët shkojnë për të ofruar shërbim në spitalet tona rajonale, ashtu edhe nesër, secili prej jush mund të prezantojë atë të re që do të sjellë në spital, përpos punës së tij të përditshme”, vuri në dukje ministrja Manastirliu gjatë takimit të zhvilluar dje me këta mjekë specialistë. Sipas saj, një pjesë e këtyre mjekëve do të atashohen pranë Spitali “Memorial në Fier”, i cili brenda këtij muaji do të jetë funksional.

Gjatë takimit me mjekët e rinj, Manastirliu tha se mbështetja nuk do të mungojë, përmes incentivave të ndryshme financiare, përpos rritjes së pagave 40 për qind, e cila tashmë ka filluar. “Ne jemi duke menduar edhe në vijim skema të ndryshme të mbështetjes tuaj. Sepse ne e dimë që nuk mjafton vetëm të kesh përfunduar specializimin. Duhet edhe të trajnohesh dhe të edukohesh në vazhdim. Duhet edhe të të krijohen lehtësitë për të mundësuar që të japësh më të mirën e vetes. Jemi duke krijuar skema të incentivimit dhe shumë shpejt besoj do të kemi edhe të tjera mekanizma për mbështetjen tuaj”, vuri në dukje ministrja  Manastirliu.