Venezuelë, presidenti Maduro fal opozitarët

0
217

Presidenti i Venezuelës, Nikola Maduro, ka amnistuar më shumë se 100 politikanë opozitarë, për të treguar se synon garë të drejtë elektorale në zgjedhjet e reja të dhjetorit.

Aktivistë të burgosur apo azilantë politikë jashtë vendit, përfshirë edhe parlamentarë, u falën të hënën me dekret presidencial.

Shumë prej tyre akuzohen si pjesëmarrës në revoltën e pasuksesshme të vitit 2019 që kërkoi të bindë ushtrinë dhe komandantët e vendit të refuzonin regjimin e Maduros.

Për opozitaren Maria Korina Maçado, lirimi i kolegëve të saj është strategji e Partisë Socialiste në pushtet për të legjitimuar zgjedhjet e reja parlamentare, pasi disa parti të pakicës e kanë konsideruar proçesin të manipuluar dhe se do ta bojkotojnë.

“Mbeten 90 ditë për t’i korrigjuar gabimet politike të kësaj qeverie të përkohshme, që kanë hutuar qytetarët dhe aleatët ndërkombëtarë. Problemi im është me Maduron, me shkatërrimin kriminal të jetës së venezuelasve. Pra, e para është çështja etike dhe njerëzore, e gjenocidit të pritshëm, dhe problemi real është siguria kombëtare.”

Me zgjedhjet e fundvitit, presidenti Maduro do tentojë pas 7 viteve në pushtet të marrë edhe Asamblenë Kombëtare që tani kontrollohet nga opozita.

Liderët e opozitës thonë se rizgjedhja e Maduros në vitin 2018 ishte e paligjshme, ndaj njohin kryeopozitarin Huan Guaido për president.

Qëndrimin e ndajnë edhe 50 vende të tjera në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Grupet për të drejtuar e njeriut kanë akuzuar qeverinë venezuelase se i arreston kundërshtarët e vet në mënyrë arbitrare, shpeshherë pa prova, pa një gjykim të drejtë dhe në shkelje të imunitetit të tyre parlamentar.

Socialistët i kanë mohuar sulmet për burgosje politike duke i kthyer akuzat ndaj Uashingtonit se përpiqet të njollosë imazhin e qeverisë.

ora news