Veprimtaria e AKEP/ Zbatoi me sukses roamingun ndërkombëtar me vendet e Ballkanit Perëndimor

0
314

/ Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot projektrezolutën për veprimtarinë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) përgjatë vitit 2019.

Anëtarët e komisionit vlerësuan punën e AKEP për implementimin me sukses të roamingut ndërkombëtar me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe harmonizimin rregullator me Republikën e Kosovës, punën e bërë për tenderimin e brezave të frekuencave 800 MHz, etj.

Deputeti Arben Pëllumbi, gjatë relatimit të tij bëri të ditur se në projektrezolutë janë marrë parasysh arritjet e AKEP përgjatë vitit 2019 dhe janë saktësuar detyrat që i dalin përgjatë vitit 2020, sidomos në plotësimin e rekomandimeve ende të papërfunduara të lëna nga rezoluta e Kuvendit të vitit të kaluar.

Në mbledhjen e sotme e cila u zhvillua përmes platformës së komunikimit online, Cisco Webex, u miratua edhe projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën e ndryshuar të Organizatës Evropiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT)”.

Projekligji u prezantua nga Eltar Deda, drejtor i përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit në Fushën e Infrastrukturës dhe Territorit, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe u relatua për komisionin nga deputeti Arben Pëllumbi.

Përfaqësuesi i ministrisë sqaroi se miratimi i këtij projektligji synon përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga angazhimet në marrëveshje ndërkombëtare ku Shqipëria aderon në fushën e komunikimeve elektronike dhe aderimin aderimin në Konventën e ndryshuar të Organizatës Europiane të Telekomunikacioneve Satelitore (EUTELSAT).

Një tjetër projektligj i shqyrtuar sot ishte edhe ai “Për ratifikimin e ndryshimit të Protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë të ratifikuar me ligjin në lidhje me përkufizimin e konceptit “Produkte origjinuese” dhe “Metoda e bashkëpunimit administrativ”.

Projektligji u relatua nga deputetja Tatiana Piro, e cila sqaroi se në bazë të marrëveshjes së tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, tregtia e produkteve industriale ndërmjet të dyja vendeve është pa tarifa doganore, ndërkohë që për produktet bujqësore është mbajtur pozicion mbrojtës, për disa produkte që janë specifike për vendin tonë.

Zëvendësimi i Protokollit II të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Turqinë me shtojcën I “Përkufizimi i konceptit të “Produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ të Konventës Rajonale për rregullat preferenciale Pan Euro Mediterriane (PEM) do të njehsojë rregullat e origjinës  preferenciale të mallrave, me qëllim që produktet e përfituara të quhen origjinuese, siç referohet në këtë Konventë.

Pas diskutimeve, komisioni kërkoi më tepër informacion nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë rreth projektligjit dhe vendosi për shtyrjen e diskutimit të tij në mbledhjen e radhës

Atsh