Vërtetohet shkencërisht! Mbetjet e Kurum shkaktojnë kancer. Banorët e Bradasheshit po vdesin nga ajri i ndotur

0
2

 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka zbardhur detaje që lidhen me kontrabandimin dhe menaxhimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme, duke vendosur masa sigurie për 33 persona, mes tyre administratorë kompanish private dhe zyrtarë shtetërorë. Hetimet u zhvilluan në kuadër të procedimit penal nr. 1596/2024, i regjistruar për një sërë veprash penale, përfshirë kontrabandën e mallrave të ndaluara, falsifikimin e dokumenteve, transportimin dhe menaxhimin e mbetjeve, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.

Çështja nisi pas një sinjalizimi nga OLAF më 25 korrik 2024, lidhur me një ngarkesë që dyshohej se po transportonte mbetje nga Shqipëria drejt Tajlandës. U konstatua se subjekti “Sokolaj” sh.p.k. kishte eksportuar 2.816.300 kg material, të ngarkuar në 102 kontenierë, të cilët u kthyen në Portin e Durrësit më 28 tetor 2024, pasi u refuzuan nga autoritetet tajlandeze. Më 8 nëntor 2024, Prokuroria sekuestroi 102 kontenierët, të cilët aktualisht ndodhen në Porto Romano, në kushte sigurie mjedisore dhe fizike. Testet fillestare nuk konstatuan prani radioaktiviteti, ndërsa analizat laboratorike të kryera në një laborator të specializuar në Itali vërtetuan se materiali ishte mbetje e rrezikshme.Sipas aktit të ekspertimit, materiali rezulton pluhur i filtrimit të gazrave të furrave elektrike të çelikut (EAF), i klasifikuar si mbetje e rrezikshme me kodin 10 02 07*, që përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore. Hetimet tregojnë se shoqëria “Kurum International” sh.a., në bashkëpunim me subjekte të tjera private dhe zyrtarë shtetërorë, ka tentuar të fshehë natyrën e vërtetë të mbetjeve për t’i eksportuar jashtë vendit dhe për t’i tregtuar brenda territorit shqiptar, në kundërshtim me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar.Prokuroria kërkoi dhe gjykata vendosi masa sigurie “Arrest me burg” dhe “Arrest në shtëpi” për 33 persona, përfshirë administratorë kompanish, drejtues të doganës së Durrësit, punonjës doganorë, drejtues dhe specialistë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, si dhe përfaqësues të subjekteve private të përfshira. Deri më tani janë ekzekutuar 20 masa sigurie, ndërsa vijon puna për kapjen e 13 personave të tjerë. Prokuroria e Durrësit deklaron se mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, duke garantuar ndëshkimin e çdo subjekti privat apo shtetëror të përfshirë, në mbrojtje të interesit publik, shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit.