Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me vrasjen e Elis Rroshkodolit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2024.
Nëna e tij gjatë dëshmisë për vrasjen e të birit ka thënë se nuk dinte asnjë detaj në lidhje me ngjarjen dhe se ai po planifikonte të largohej jashtë vendit.
Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, shtetasja L.R, nëna e viktimës, ka deklaruar se: “Që prej vitit 1986 jeton pa ndërprerje në qytetin e Shkodrës, bashkëshortin ia kanë vrarë në vitin 1993, një nga djemtë i ka vdekur në aksident para 12 vitesh, ndërsa Elisi ishte djali i vetëm që kishte gjallë. Tregon se djali ka jetuar jashtë shtetit dhe ka rreth 1 vit që nuk ka dalë më jashtë shtetit.
Djali kryesisht zgjohej prej gjumit rreth orës 11-11.30 e rreth orës 12 dilte për të pirë kafe, të cilën e pinte kryesisht në lagje, ose tek lokal “Natyra” me shokun e tij Indritin. Djali ka dalë për kafe kryesisht në drekë, në darkë nuk ka dalë asnjëherë për të pirë kafe. Kryesisht Elisi ka jetuar në Elbasan, Korçë, ku ka qëndruar me shokët e tij.
Në Elbasan ka ndenjur në një hotel në hyrje të Elbasanit, kryesisht me një shok me emrin Krist. Deklaron që dy javët e fundit djali nuk ka shkuar në Elbasan, sepse po bënte pasaportën, pasi donte të ikte jashtë. Djali kur ishte jashtë Shkodrës kryesisht flinte në hotel. Në Shkodër shoqërohej me Indrit Bekteshin dhe me çunat e lagjes. Në Elbasan kishte shoqëri tjetër, por kryesisht rrinte me Kristin. Djali nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim. Djali ka qenë tip i mbyllur nga natyra, nuk shprehej dhe nuk i ka shprehur ndonjë shqetësim apo problem”.